Dita Ndërkombëtare të Demokracisë, Sali: Përgjegjësia jonë është ta dëshmojmë demokracinë çdo ditë

Me rastin e 15 Shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vazhdueshme të vlerave demokratike dhe respektimit të të drejtave të qytetarëve.
“15 shtatori na kujton se demokracia nuk është fituar njëherë e përgjithmonë. Ajo është një vlerë që duhet ta mbrojmë dhe ta forcojmë çdo ditë”, ka deklaruar Sali.
Ai rikujtoi se që nga viti 2007, kur Kombet e Bashkuara e shpallën 15 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, kjo ditë shërben si kujtesë për rëndësinë e lirisë, të drejtave të qytetarëve dhe institucioneve demokratike.
Sipas Saliut, demokracia nis nga respekti ndaj qytetarit dhe nga garantimi i të drejtës së tij për të zgjedhur lirshëm, për të kritikuar dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet.
“Demokracia fillon me respektin ndaj qytetarit. Me të drejtën e tij për të zgjedhur lirshëm, për të kritikuar, për të kërkuar përgjegjësi dhe për të besuar se zëri i tij ka vlerë”, theksoi Sali.
Zëvendëskryeministri i parë nënvizoi se përgjegjësia e institucioneve nuk duhet të kufizohet vetëm te shënimi i kësaj dite, por duhet të dëshmohet përmes mënyrës së funksionimit të tyre.
“Prandaj, detyra jonë nuk është vetëm ta festojmë demokracinë, por ta dëshmojmë atë përmes institucioneve transparente, vendimmarrjes së përgjegjshme dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve”, deklaroi ai.
Sali theksoi gjithashtu se demokracia ka vlerë reale vetëm atëherë kur qytetari ndihet pjesë e barabartë e shoqërisë dhe kur zëri i tij dëgjohet nga institucionet.
“Demokracia ka kuptim vetëm atëherë kur qytetari ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i barabartë”, përfundoi Sali.



