Shasivari: Lobimi duhet të jetë transparent, vendimet publike nuk duhet të merren në hije

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, njofton se në ENER është publikuar Propozim-Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lobim, me të cilin synohet vendosja e një sistemi më transparent, më të qartë dhe më efikas për përfaqësimin e interesave në procesin e krijimit dhe zbatimit të politikave publike.
Sipas ministrit Shasivari, ndryshimet e propozuara kanë një qëllim të qartë-të sigurohet që çdo interes legjitim të mund të dëgjohet, por asnjë ndikim i fshehtë të mos mund të ndikojë në vendimet publike.
Me Propozim-Ligjin zgjerohet fushëveprimi i lobimit në proceset e miratimit, ndryshimit, zbatimit dhe vlerësimit të politikave publike. Njëkohësisht, precizohen rregullat për përfaqësimin e interesit publik dhe forcohen mekanizmat kundër lobimit të fshehtë dhe të palejuar, përfshirë edhe përmes kanaleve digjitale dhe rrjeteve sociale.
Ndryshimet parashikojnë edhe detyrime më të mëdha për institucionet në lidhje me kontaktet dhe komunikimin me personat që lobojnë, si dhe transparencë më të madhe për pjesëmarrësit, interesat e përfaqësuara, iniciativat dhe takimet zyrtare.
Gjithashtu, forcohen mbikëqyrja dhe kontrolli nga ana e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe parashikohen sanksione të reja dhe më të larta për mosrespektimin e detyrimeve ligjore.
“Lobimi nuk është problem kur është i ligjshëm dhe transparent. Problemi fillon atëherë kur ndikimi fshihet, interesi nuk deklarohet dhe publiku nuk mund të shohë se kush dhe si ka ndikuar në një vendim publik”, thekson ministri Shasivari.
Ai shton se reforma nuk është kundër përfaqësimit të interesave, por kundër ndikimit të padukshëm dhe të pakontrolluar mbi proceset publike.
“Në një demokraci funksionale, interesat mund të përfaqësohen, argumentet mund të dëgjohen dhe institucionet duhet të komunikojnë me të gjithë. Por një gjë duhet të jetë e qartë: asnjë interes i fshehtë nuk mund të jetë mbi interesin publik.”
Ministri Shasivari thekson se forcimi i transparencës në lobim është pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e institucioneve me më shumë integritet, përgjegjësi dhe besim të qytetarëve.
“Vendimet publike duhet të jenë të gjurmueshme, të arsyetuara dhe në shërbim të qytetarëve. Ato nuk duhet të merren në hije.”
Propozim-Ligji është publikuar në ENER dhe është i hapur për konsultim publik.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button