Sali nga Bratislava: Sllovakia mbështet të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut

Zv/kryeministri i parë, Bekim Sali, zhvilloi takim në Bratislavë me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Juraj Blanár, ku në fokus ishte procesi i integrimit evropian të vendit.
Sali e falënderoi ministrin Blanár për mikpritjen dhe, siç theksoi, për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovakisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Diskutuam për hapat e ardhshëm të procesit tonë të anëtarësimit dhe rëndësinë që zgjerimi të mbetet një proces kredibil, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, ku përmbushja e detyrimeve të dakorduara pasohet me progres konkret”, deklaroi Sali.
Një pjesë e bisedimeve iu kushtua edhe marrëdhënieve fqinjësore dhe çështjeve bilaterale. Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët.
“Çështjet bilaterale duhet të trajtohen përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë, pa e humbur fokusin e procesit të anëtarësimit nga reformat dhe standardet evropiane”, u shpreh ai.
Zv/kryeministri i parë vlerësoi gjithashtu rolin e Bratislavës në mbështetje të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“E vlerësojmë lart zërin e fuqishëm të Sllovakisë në mbështetje të zgjerimit dhe të ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut”, tha Sali.
Takimi në Bratislavë vjen në kuadër të përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, me theks te reformat, standardet evropiane dhe përmbushja e detyrimeve të procesit të anëtarësimit.



