Përparim Bajrami përfundon në Burgun e Shkupit

Ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, është ndaluar nga policia pasi është paraqitur sot në pikën kufitare Dolno Bllacë, në hyrje të Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajrami, 33 vjeç, është paraqitur në pikën kufitare në orën 05:35, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar më herët një fletarrest ndërkombëtar.
“Sot (09.09.2026) në ora 05:35 në GP Dolno Bllace për hyrje në RMV është paraqitur Përparim Bajrami (33), i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar me urdhër të PTHP Shkup nr. XVII KO nr. 4232/24 të datës 17.12.2024”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministria njofton se Bajrami është privuar nga liria dhe më pas është dërguar në Institucionin Ndëshkimor-Përmirësues “Burgu i Shkupit”.
“Personi është privuar nga liria dhe është dërguar në Institucionin Ndëshkimor-Përmirësues Burgu i Shkupit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Bajrami është një nga personat e kërkuar në lidhje me rastin për të cilin po zhvillohet procedurë penale, ku dyshohet për përvetësim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ai më herët ishte në arrati dhe, pas kthimit në vend, tashmë është vënë në dispozicion të organeve kompetente.
Bajrami ishte drejtor i “Lotarisë Shtetërore”, ndërsa emri i tij është përfshirë në rastin ku të akuzuar janë edhe ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe persona të tjerë.
Procedura gjyqësore për rastin pritet të vazhdojë të premten.



