1.2 tonë kokainë mes arrave të kokosit, kapen në Spanjë – arrestohen dy persona

Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar 1 mijë e 238 kilogramë kokainë, të fshehura në një ngarkesë me arra kokosi në provincën e Seviljes.
Operacioni u zhvillua nga Guardia Civil dhe Agjencia Tatimore e Spanjës, ndërsa droga u zbulua në pjesën e poshtme të rimorkios së një kamioni dhe nën paletat ku transportoheshin arrat e kokosit.
Gjatë operacionit janë arrestuar dy persona, të dyshuar për trafik droge.
Hetimi kishte nisur në dhjetor të vitit të kaluar, kur autoritetet identifikuan një kompani në Dos Hermanas, në provincën e Seviljes, e cila dyshohej se po përdorej për futjen e drogës në Spanjë.
Më pas, hetuesit identifikuan një kontejner transporti që e konsideruan të dyshimtë dhe e mbajtën nën vëzhgim. Ndërhyrja u krye pikërisht në momentin kur ngarkesa po dorëzohej në një magazinë.
Përveç kokainës, gjatë kontrolleve në dy prona në provincën e Seviljes u sekuestruan para të gatshme dhe pajisje elektronike, të cilat mund të shërbejnë si prova në hetim.
Autoritetet spanjolle thanë se hetimi vazhdon dhe se nuk përjashtohen arrestime të tjera.
Spanja është një nga pikat kryesore të hyrjes së kokainës në Bashkimin Evropian. Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drogat (EUDA), gjatë vitit 2024 në BE u sekuestruan gjithsej 330 tonë kokainë, ndërsa vetëm Spanja raportoi sekuestrimin e 124 tonëve. Spanja, Franca dhe Belgjika së bashku përbënin rreth 67 për qind të sasisë së përgjithshme të sekuestruar në BE.



