Vrasja në Çair: Njëri nga autorët duhej të ishte në burg, Toshkovski: I kemi provat, arrestimet janë çështje kohe

Një detaj tronditës del në dritë pas vrasjes së 26-vjeçarit në Çair: njëri prej personave të dyshuar për përfshirjen në krim aktualisht ndodhet duke vuajtur dënim me burg, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka informacione fillestare për autorët dhe, sipas Toshkovskit, janë siguruar edhe prova për të përcaktuar se kush qëndron pas vrasjes. Ministri shprehet optimist se të dyshuarit do të arrestohen shumë shpejt dhe do të përballen me drejtësinë.
“MPB ka informacione fillestare për autorët. Janë siguruar edhe prova përkatëse lidhur me atë se kush janë kryerësit, kështu që shpresoj se sa më shpejt që të jetë e mundur do t’i sigurojmë dhe ata do të ndiqen penalisht”, deklaroi Toshkovski në një intervistë për Kanal 5.
Njëri prej të dyshuarve është në burg
Duke folur për rastin, ministri konfirmoi se njëri nga personat e përfshirë në ngjarjen kriminale është person i arrestuar më herët nga MPB-ja dhe aktualisht është duke vuajtur dënim me burg.
Megjithatë, Toshkovski tha se është ende herët të bëhen publike detajet se si ky person mund të jetë përfshirë në ngjarje dhe nëse ka pasur ndonjë moment kur është liruar apo i është mundësuar të dalë nga burgu.
“Dhe tani kemi një rast të tillë. Sipas informacioneve fillestare që kam, njëri nga pjesëmarrësit në këtë ngjarje kriminale është person i cili është arrestuar nga MPB-ja dhe aktualisht është duke vuajtur dënimin me burg. Nëse ka qenë i liruar, është lënë i lirë apo diçka e ngjashme, ende është herët të hyjmë në këto detaje. MPB-ja, së bashku me Prokurorinë Publike, do ta shqyrtojë plotësisht situatën”, tha ministri.
26-vjeçari u qëllua nga dy persona me motoçikletë
Vrasja e rëndë ndodhi të dielën në Çair. Viktima, 26-vjeçar, ishte duke qëndruar me edhe katër persona të tjerë kur dy sulmues, të ardhur me motoçikletë, hapën zjarr ndaj grupit.
Toshkovski tha se hetimi po zhvillohet intensivisht, ndërsa për momentin nuk dëshiron të zbulojë motivin e mundshëm të vrasjes.
Sipas tij, informacionet e para nuk tregojnë se bëhet fjalë për një përplasje mes grupeve të organizuara kriminale për kontroll të territorit.
“Bazuar në informacionet fillestare, nuk bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal që përplaset për dominim në terren, por për disa arsye të tjera. Megjithatë, ende është herët që këto detaje të bëhen publike”, tha Toshkovski.
Toshkovski: Ka problem serioz me burgjet
Ministri pranoi se në vend ekziston një problem me sistemin penitenciar dhe me atë që ndodh brenda burgjeve, duke theksuar se kjo çështje është diskutuar edhe në një konferencë të organizuar me pjesëmarrjen e OSBE-së dhe diplomatëve të huaj, përfshirë ambasadoren amerikane.
Ai tha se, pavarësisht rënies së ndjeshme të krimeve të dhunshme dhe aktivitetit të grupeve kriminale në krahasim me vitet e kaluara, incidente të tilla mbeten shqetësuese për sigurinë publike.
“Askush nuk është i paprekshëm”
Toshkovski u dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë personave që, siç tha ai, e konsiderojnë veten të paprekshëm.
“U them të gjithë atyre që mendojnë se janë të paprekshëm dhe se mund të bëjnë çfarë të duan nëpër rrugët e Maqedonisë: MPB-ja do t’u përgjigjet në mënyrë adekuate dhe të gjitha veprimet hetimore do të ndërmerren në kohën më të shkurtër të mundshme”, deklaroi ai.
Toshkovski shtoi se pret që autorët e vrasjes në Çair brenda një periudhe sa më të shkurtër të nxirren para drejtësisë.
Si shembull të punës së MPB-së, ministri përmendi një aksion kundër një grupi të organizuar kriminal, ku, sipas tij, MPB-ja në bashkëpunim me Prokurorinë Publike ka arritur të zbardhë shtatë vrasje të kryera ndër vite, gjashtë prej tyre në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe një në Greqi.



