Sali: Zgjerimi i BE-së është domosdoshmëri gjeopolitike, Maqedonia e Veriut e ka zgjedhur Evropën

Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më vetëm një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri gjeopolitike dhe një investim në sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës, deklaroi zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali.

Duke folur pas pjesëmarrjes në takimin joformal të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në Dublin, Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj procesit të reformave dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj reformave dhe anëtarësimit në BE. Procesi duhet të mbetet i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, në mënyrë që rezultatet të përcillen me progres konkret”, tha Sali.

Ai përshëndeti gjithashtu vizionin e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, për një integrim gradual të vendeve kandidate, duke vlerësuar se kjo qasje mund t’u sjellë qytetarëve dhe bizneseve përfitime konkrete edhe para anëtarësimit të plotë.

“E përshëndesim vizionin e Komisioneres Marta Kos për integrim gradual, i cili mund t’u sjellë qytetarëve dhe bizneseve përfitime konkrete para anëtarësimit, të përshpejtojë përgatitjet dhe të forcojë besimin në proces”, deklaroi zëvendëskryeministri.

Sali theksoi se objektivi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.

“Objektivi ynë mbetet i qartë: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut e ka zgjedhur Evropën. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë pjesën tonë dhe presim që përkushtimi, reformat dhe rezultatet të njihen me progres”, tha ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button