Presidenti argjentinas zotohet të ashpërsojë sanksionet ndaj kompanive që shfrytëzojnë naftën e Ishujve Falkland

Presidenti argjentinas, Javier Milei, ka njoftuar një sërë masash të rrepta ekzekutive dhe legjislative që synojnë të bllokojnë shfrytëzimin e paautorizuar të naftës në det të hapur në Ishujt Falkland (Malvine), duke e cilësuar nxjerrjen e mëtejshme të burimeve si shkelje të drejtpërdrejtë të sigurisë kombëtare, transmeton Anadolu.

I rrethuar nga i gjithë kabineti i tij gjatë një fjalimi televiziv drejtuar kombit, Milei rikonfirmoi pretendimin territorial të Argjentinës, duke pohuar se ishujt i përkasin vendit të Amerikës së Jugut “historikisht dhe ligjërisht”.

“Ishujt kanë qenë pjesë e territorit argjentinas që nga zanafilla e kombit tonë. Në vitin 1833, Mbretëria e Bashkuar pushtoi Ishujt Falkland, dëboi autoritetet argjentinase dhe krijoi një situatë koloniale që vazhdon edhe sot e kësaj dite”, tha Milei, duke shtuar se banorët e ishujve “nuk kanë të drejtë legjitime për vetëvendosje”.

Presidenti argjentinas përmendi në mënyrë të veçantë projektin e naftës Sea Lion, i cili operohet në Basenin Verior të Falklandit nga kompania britanike Rockhopper Exploration dhe Navitas Petroleum me bazë në Izrael, duke e cilësuar atë si një kërcënim të afërt.

“Nëse nuk veprojmë sot me vendosmëri dhe shpejtësi, brenda pak muajsh ata do të kenë kapacitetin për të përvetësuar rezervat e naftës që ndodhen nën detin tonë. Nëse e lejojmë këtë, do të krijojmë një nxitje për qeverinë britanike që të thellojë pushtimin e ishujve tanë dhe shfrytëzimin e burimeve tona”, paralajmëroi Milei.

Për t’iu kundërvënë projektit, Milei nënshkroi një dekret ekzekutiv që përshpejton procedurat e sanksionimit ndaj subjekteve të përfshira në operacione të paautorizuara me hidrokarbure në kuadrin kontinental të Argjentinës.

Sipas urdhrit, qeveria do t’ua ndalojë kompanive, aksionarëve, drejtuesve dhe furnizuesve të tyre tregtar ushtrimin e veprimtarisë në pjesën kontinentale të Argjentinës.

Milei njoftoi gjithashtu se do t’i dërgojë me procedurë urgjente Kongresit një projektligj për ashpërsimin e ligjeve ekzistuese.

Legjislacioni i propozuar do të vendoste të njëjtat masa ndëshkuese dhe ndalime edhe ndaj ofruesve të shërbimeve dhe kontraktorëve të palëve të treta, do t’i përjashtonte përgjithmonë subjektet që nuk respektojnë ligjin nga kontratat në sektorin publik ose privat në Argjentinë dhe do të lejonte gjykimin në mungesë të shkelësve.

Milei e paraqiti këtë veprim në kontekstin e asaj që ai e përshkroi si ndryshim të dinamikave diplomatike globale, duke iu referuar deklaratave të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, se Washingtoni po rivlerëson qëndrimin e tij historik ndaj mosmarrëveshjes për Ishujt Falkland.

“Ky kërcënim nuk është i padëmshëm. SHBA-ja po e shqyrton këtë ndryshim të qëndrimit, sepse e dinë se në Argjentinë kanë një partner të besueshëm, të rreshtuar me vlerat perëndimore, në një pozicion strategjikisht të rëndësishëm, i cili mund të jetë një aleat i vlefshëm në dekadat e ardhshme”, tha Milei.

Në përfundim të fjalimit, presidenti argjentinas u bëri thirrje kundërshtarëve politik që t’i lënë mënjanë rivalitetet partiake të brendshme.

“Për çdo gjë tjetër mund të diskutojmë, por kjo çështje kërkon një pauzë. Kërkon që t’i lëmë armët mënjanë dhe të paraqitemi para botës si një komb i bashkuar. Sigurimi i epërsisë sonë në këtë territor nuk është një tekë politike. Është çështje mbijetese”, tha ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button