Bordi i Volkswagenit miraton planin për shkurtimin e 50 mijë vendeve të tjera të punës në mbarë botën

Bordi mbikëqyrës i Volkswagenit njëzëri ka miratuar një plan për shkurtimin e rreth 50 mijë vendeve të tjera të punës në mbarë botën, si pjesë e një programi të madh ristrukturimi deri në vitin 2030, transmeton Anadolu.
Ky reduktim është shtesë ndaj programeve që tashmë janë në zbatim. Që nga fundi i vitit 2024, Volkswagen kishte rënë dakord të reduktonte fuqinë punëtore me rreth 50 mijë vende deri në fund të dekadës. Së bashku, dy raundet do ta çonin numrin e vendeve të planifikuara për t’u shkurtuar në rreth 100 mijë.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Oliver Blume, e cilësoi votimin në Wolfsburg si “një sinjal të fuqishëm për të ardhmen e Grupit Volkswagen”, duke theksuar se Plani për të Ardhmen 2030 është “programi i transformimit më të thellë strategjik në historinë e Grupit Volkswagen”.
“Po marrim përgjegjësi për të gjithë fuqinë tonë punëtore, për partnerët tanë dhe për vendet e punës në industri në mbarë botën”, tha Blume.
“Gjatë viteve të ardhshme do të investojmë një shumë treshifrore në miliarda për t’i bërë markat tona ikonike edhe më tërheqëse, më të fuqishme dhe më konkurruese”, shtoi ai.
Kompania tha se intensifikimi i konkurrencës globale, ndryshimi i kërkesës dhe zhvillimet teknologjike e bëjnë të domosdoshëm përshtatjen e fuqisë punëtore me “realitetin ekonomik”. Sipas analizës mbi të cilën bazohet plani, përtej programeve ekzistuese do të jetë i nevojshëm një reduktim i mëtejshëm prej rreth 50 mijë vendesh pune në të gjithë grupin, përfshirë edhe pozitat drejtuese.
Kompania punëson rreth 663 mijë persona në mbarë botën. Volkswagen tha se synon shitje vjetore prej 9 milionë automjetesh, rreth 1 milion më pak se në planet e fundit për vëllimin e shitjeve dhe 3 milionë më pak se përpara pandemisë së koronavirusit COVID-19.
Deri në vitin 2035, grupi planifikon të reduktojë me rreth 50 për qind gamën e modeleve dhe të ulë kompleksitetin e produkteve me rreth 75 për qind. Kompania tha se modelet që do të mbeten duhet të dallohen për dizajnin dhe teknologjinë, duke përfituar njëkohësisht nga vëllime më të larta prodhimi dhe kosto më të ulëta për automjet.
Bordi tha se kapaciteti aktual i prodhimit të Grupit Volkswagen në Evropë tejkalon kërkesën me më shumë se 500 mijë automjete.
Ai tha se aktualisht nuk mund të sigurohet ndarja konkurruese e prodhimit në të ardhmen për fabrikat në Emden, Zwickau dhe Hanover si dhe për fabrikën Audi në Neckarsulm, në mënyrë të shkallëzuar nga viti 2031 deri në vitin 2034.
Sipas kompanisë, po shqyrtohen mundësi alternative për shfrytëzimin e katër fabrikave. Volkswagen tha se një koncept për një strukturë të qëndrueshme dhe konkurruese të prodhimit për fabrikat evropiane të kompanisë pritet të hartohet deri në fund të qershorit 2027.



