Ekipet e shpëtimit nxjerrin të gjallë 2 persona nga tuneli mbi një javë pas përmbytjeve të rrëmbyeshme në Nepal

Dy persona u shpëtuan nga një tunel i një hidrocentrali në Nepal më shumë se një javë pasi përmbytjet vdekjeprurëse të rrëmbyeshme goditën rajonin, transmeton Anadolu.
Siç raporton BBC, operacioni emergjent në Projektin Hidroenergjetik Trishuli 3A u ndërmor pasi një përmbytje masive e rrëmbyeshme shkaktoi shkatërrime në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës.
Ministria e Energjisë tha për BBC se Nepali pret që të paktën 42 persona të shpëtohen nga tuneli, pasi ekipet e shpëtimit dëgjuan zëra sot herët.
Sipas raportit, personi i parë i shpëtuar, Sanjaya Shah, u transportua me helikopter në një spital në Battar, që ndodhet në veriperëndim të kryeqytetit Katmandu, ndërsa personi i dytë i shpëtuar, Kabir Maharjan, po “përgatitet” për t’u dërguar në Spitalin Chhauni, një spital ushtarak në Katmandu.
Ujërat e përmbytjeve dhe rrëshqitjet e baltës shkaktuan shkatërrime në rrethet Rasuwa, Nuwakot, Dhading dhe Kavre të Nepalit, si dhe në Luginën e Katmandusë, ndërsa gjithashtu mbuluan zonën e Portit Gyirong në Rajonin Autonom Xizang të Kinës jugperëndimore, i njohur gjithashtu si Tibet.
Nepali ka konfirmuar 1.259 viktima, ndërsa 5.083 persona rezultojnë të zhdukur nga përmbytjet e rrëmbyeshme të javës së kaluar. Autoritetet në Kinë thanë se 21 persona humbën jetën, ndërsa kërkimet vazhdojnë për 541 persona të tjerë.
Numri i përgjithshëm i viktimave në të dy vendet arriti në 1.280, ndërsa 5.624 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur, përfshirë 844 shtetas të huaj.



