Avioni i qeverisë serbe me trupin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq ulet në aeroportin e Beogradit

Avioni i Qeverisë së Serbisë, me trupin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, ka ateruar në aeroportin e Beogradit “Nikolla Teslla”, transmeton Anadolu.
Trupi i kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq më pas është transportuar nga aeroporti në Akademinë Mjekësore Ushtarake, raportoi RTS.
Në avionin me të cilin trupi i Mlladiqit është sjellë nga Haga ndodheshin djali i tij Darko Mlladiq, mbesa Anastasija, ministri i Drejtësisë Nenad Vujiq dhe dy ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska.
Arkivoli me trupin është pritur nga pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, ndërsa arkivoli është mbuluar me flamujt e Serbisë dhe të entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska.
Është njoftuar se ceremonia përkujtimore do të mbahet në Beograd të shtunën, ndërsa trupi do të varroset në varrezat Topçider në kryeqytetin serb.
Mlladiq, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Sërpska, u dënua përfundimisht në qershor të vitit 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e banorëve të Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 90. Ai vdiq më 27 gusht në burgun e Hagës.



