Avokati i Popullit merr pjesë në forumin rajonal të ombudsmanëve në Stamboll

Avokati i Popullit, mr. Faton Selami, po merr pjesë në forumin dyditor për shkëmbimin e përvojave të ombudsmanëve nga Ballkani dhe vendet fqinje, i cili po zhvillohet në Stamboll të Republikës së Turqisë, nën organizimin e Ombudsmanit të Republikës së Turqisë, Mehmet Akarca.
Tema e forumit është “Roli i institucioneve të Ombudsmanit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e qeverisjes së mirë”.
Gjatë forumit, Avokati i Popullit, Faton Selami, foli për temën “Mbrojtja e të drejtave të banorëve të zonave të paarritshme dhe rurale”, duke theksuar se qytetarët që jetojnë në zonat rurale dhe të largëta përballen me vështirësi më të mëdha në qasjen ndaj institucioneve dhe shërbimeve publike.
Sipas Selamit, këto qytetarë shpesh kanë qasje të kufizuar në institucionet shtetërore, shërbimet shëndetësore dhe sociale, arsim, transport publik, shërbime digjitale dhe shërbime të tjera publike, gjë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë e tyre për t’i gëzuar plotësisht të drejtat.
“Mbrojtja e të drejtave nuk mund të jetë plotësisht efektive nëse institucioni nuk është i qasshëm për qytetarët. Pikërisht për këtë arsye, decentralizimi dhe kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët janë me rëndësi të veçantë për punën e Avokatit të Popullit”, tha Selami.
Ai theksoi rëndësinë e mundësisë që qytetarët nga zonat e largëta dhe rurale t’i drejtohen Avokatit të Popullit pranë vendbanimeve të tyre. Kjo, sipas tij, është veçanërisht e rëndësishme për personat me mundësi të kufizuara financiare, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, qytetarët që nuk kanë transport privat, si dhe ata me qasje të kufizuar në teknologjitë digjitale.
Selami theksoi gjithashtu rëndësinë e zyrave rajonale të Avokatit të Popullit.
“Zyrat rajonale nuk janë vetëm pika administrative. Ato përfaqësojnë lidhje direkte mes qytetarëve dhe institucionit të Avokatit të Popullit. Përmes tyre qytetarët mund të marrin informacione për të drejtat e tyre, të parashtrojnë ankesa, të kërkojnë këshillë dhe ndihmë dhe të tregojnë problemet me të cilat përballen në veprimet e institucioneve”, theksoi ai.
Në forum, përveç Ombudsmanit të Republikës së Turqisë, marrin pjesë ombudsmanë, zëvendësombudsmanë dhe përfaqësues të organeve për barazi nga Mali i Zi, Kosova, Rumania, Bosnje dhe Hercegovina, Hungaria, Serbia, Sllovenia, Sllovakia, Kroacia, Çekia, Shqipëria dhe Bullgaria.
Diskutimet janë të ndara në pesë sesione, ku trajtohen tema që lidhen me rolin e institucioneve të Ombudsmanit në forcimin e besimit mes qytetarëve dhe shtetit, mbrojtjen e të drejtave të banorëve të zonave rurale dhe të paarritshme, qeverisjen e mirë, sfidat e përbashkëta rajonale, si dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e të drejtave të njeriut.
Forumi synon shkëmbimin e përvojave dhe praktikave ndërmjet institucioneve të Ombudsmanit të vendeve të Ballkanit dhe vendeve fqinje.



