Maduro dhe bashkëshortja e tij kërkojnë rrëzimin e akuzave për trafik droge, mbështetur në imunitetin e liderit

Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, i kërkuan të mërkurën një gjyqtari që të rrëzojë aktakuzën për trafik droge ndaj tyre, me arsyetimin se gëzojnë imunitet si lideri dhe zonja e parë e një vendi të huaj.
Në dokumentet e depozituara në gjykatën federale të Manhatanit, avokatët e Maduros thanë se gjyqtari ishte i detyruar me ligj ta rrëzonte aktakuzën, sepse një akuzë e tillë nuk mund të ngrihet kundër një lideri të huaj.
“Asnjë gjykatë amerikane nuk ka zhvilluar ndonjëherë një proces penal ndaj një lideri të huaj, i cili ishte njohur nga vendi i tij si kreu në detyrë i shtetit në kohën kur u ngritën akuzat”, shkruan avokatët. “Kjo nuk është një rastësi e historisë. Ajo pasqyron një rregull më të vjetër se common law: krerët e shteteve janë të përjashtuar nga procesi penal i çdo gjykate kombëtare, përveç asaj të vendit të tyre.”
Maduro dhe bashkëshortja e tij janë planifikuar të dalin në gjyq për akuzat e trafikut të drogës më 1 qershor të vitit të ardhshëm. Gjyqtari Alvin K. Hellerstein ka caktuar datën 17 nëntor për nisjen e argumenteve gojore lidhur me kërkesat për rrëzimin e aktakuzës.
Maduro, 63 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, 69 vjeç, janë mbajtur në një burg në Brooklyn që kur forcat amerikane i morën nga shtëpia e tyre në Caracas, gjatë një operacioni në mes të natës në fillim të janarit, dhe i sollën në Nju Jork.
Në dokumente të veçanta të depozituara të mërkurën, avokatët e Flores thanë se edhe ajo gëzon imunitet nga ndjekja penale në SHBA, mbi bazën e imunitetit sovran.
“Ky është një atribut i sovranitetit të Venezuelës dhe vetëm Venezuela mund të heqë dorë prej tij”, shkruan avokatët e saj.
Avokatët e Maduros thanë se, edhe nëse Maduro nuk do të kishte të drejtë për imunitet sovran si kreu i shtetit, çështja ndaj tij duhet të rrëzohet sepse ai gëzon gjithashtu imunitet sovran të bazuar në veprimet e kryera në cilësinë e tij zyrtare (conduct-based sovereign immunity).
Ndërkohë, avokatët argumentuan se Maduro “i mohon me forcë akuzat ndaj tij”.
“Nëse kjo çështje do të vazhdonte deri në gjyq, do të bëhej e qartë se ai është akuzuar në mënyrë të rreme”, thanë ata.
Si Maduro, ashtu edhe Flores janë deklaruar të pafajshëm në një çështje penale të ngritur fillimisht gjashtë vjet më parë kundër një numri bashkëpunëtorësh të dyshuar.
Ata përballen me mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm, nëse një juri vendos se ata kanë qenë pjesë e një komploti për të dërguar kokainë në Shtetet e Bashkuara.
Prokurorët federalë pritet të paraqesin përgjigjen e tyre ndaj këtyre argumenteve më vonë gjatë këtij muaji. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump e ka mbrojtur operacionin për kapjen e Maduros, duke e cilësuar atë si një “operacion të saktë të zbatimit të ligjit”.
Ndërkohë, Maduro e ka quajtur veten të burgosur lufte dhe kapjen e tij një rrëmbim.



