Forcat amerikane shoqërojnë 18 milionë fuçi naftë përmes Ngushticës së Hormuzit

Ushtria amerikane dje ka shoqëruar 40 anije tregtare që transportonin 18 milionë fuçi naftë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke shënuar nivelin më të lartë të këtyre operacioneve gjatë luftës, transmeton Anadolu.

Dy zyrtarë amerikanë të njohur me operacionet thanë për CNN se forcat amerikane goditën afër 60 objektiva ushtarake iraniane përreth ngushticës gjatë operacionit.

Operacioni kishte në shënjestër pozicione të mbrojtjes ajrore iraniane, sisteme radarësh, mjete detare, kapacitete për vendosjen e minave dhe instalime komunikimi. Forcat amerikane shkatërruan gjithashtu disa raketa lundruese kundër anijeve gjatë operacionit të shoqërimit.

Para fillimit të luftës, më shumë se gjashtë muaj më parë, rreth 20 milionë fuçi naftë kalonin çdo ditë përmes ngushticës. Të hënën, tha për CNBC sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, më shumë se 17 milionë fuçi kaluan përmes saj.

Njëri prej zyrtarëve tha se zyrtarët ushtarakë amerikanë presin sulme të tjera pranë ngushticës në ditët e ardhshme, duke pretenduar se forcat iraniane kanë treguar aftësi për të rindërtuar me shpejtësi kapacitetet e tyre, çka kërkon presion të vazhdueshëm ushtarak ofensiv.

SHBA-ja dhe Irani mbeten të përfshirë në një mosmarrëveshje të ashpër për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një pikëkalim kritik për transportin global të naftës. Luftimet janë ndezur vazhdimisht përreth kësaj rruge ujore që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi dominimin amerikan mbi ngushticën.

“Ne tani kontrollojmë Ngushticën e Hormuzit. Ne e kontrollojmë atë. Ata nuk marrin asgjë dhe ne shkatërruam anije”, tha dje Trump.

Në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, Trump hodhi idenë për ndryshimin e emrit të ngushticës.

“Tani që e kemi nën kontrollin e SHBA-së, a duhet t’ia ndryshojmë emrin nga Ngushtica e Hormuzit në Ngushtica e Trumpit”, shkroi ai.

Teherani ka hedhur poshtë pretendimet e Washingtonit për kontrollin e ngushticës. Zyrtarët iranianë kanë deklaruar vazhdimisht se ngushtica do të mbetet e mbyllur ose me kufizime të rënda derisa SHBA-ja të përmbushë kushtet që lidhen me një marrëveshje të përkohshme të arritur në qershor.

Marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka hedhur poshtë pretendimet amerikane se ngushtica është e “hapur”, duke akuzuar Washingtonin për manipulim të tregjeve të naftës dhe fshehje të dështimeve ushtarake.

SHBA-ja ka kryer operacione për pastrimin e minave dhe sulme parandaluese ndaj sistemeve iraniane, për të cilat pretendon se po përgatiteshin për vendosjen e minave, duke i përshkruar këto veprime si përpjekje për të rikthyer kalimin e sigurt.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button