Swiss Life do të shkurtojë 600 vende pune pavarësisht rritjes së fitimit

Swiss Life, kompania më e madhe e sigurimeve të jetës në Zvicër, njoftoi të martën se planifikon të eliminojë rreth 600 vende pune deri në fund të vitit 2028, me synimin për të rritur efikasitetin operacional, pavarësisht rritjes së fitimeve në gjysmën e parë të vitit, transmeton Anadolu.

Kompania tha se shumica e shkurtimeve do të realizohen përmes largimeve natyrore nga puna.

Rreth gjysma e vendeve të punës do të shkurtohen në operacionet e Swiss Life në Zvicër, ndërsa pjesa tjetër në Swiss Life Asset Managers, kryesisht jashtë vendit.

Kompania tashmë ka reduktuar rreth 100 vende pune përmes plotësimit selektiv të vendeve vakante dhe pret rreth 100 pushime nga puna deri në fund të vitit 2026.

Punonjësve të prekur do t’u ofrohet ndihmë individuale dhe mbështetje për gjetjen e një vendi të ri pune.

Vendimi erdhi pasi kompania raportoi rezultate të forta financiare për gjashtë muajt e parë të vitit 2026. Fitimi neto u rrit 8 për qind në bazë vjetore, në 649 milionë franga zvicerane (801 milionë dollarë), ndërsa fitimi operativ u rrit 8 për qind, duke arritur në 1,2 miliardë dollarë.

Primet bruto, tarifat e policave dhe depozitat e marra u rritën me 3 për qind, në 15,2 miliardë dollarë.

Drejtori ekzekutiv i Swiss Life, Matthias Aellig, tha se kompania synon të forcojë pozicionin në treg dhe efikasitetin, përfshirë përmes përfitimit nga digjitalizimi, ndërsa kërkon të zgjerojë aktivitetin përtej vitit 2027.

Kompania njoftoi gjithashtu një program të ri për blerjen e aksioneve me vlerë 308,8 milionë dollarë, i cili do të zhvillohet nga tetori deri në fund të marsit 2027.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button