Erdogan: Turqia mobilizoi të gjitha burimet pas përmbysjes së anijes së pasagjerëve në brigjet e Qipros Veriore
“Po e ndjekim nga afër edhe këtë proces, për të cilin kemi mobilizuar të gjitha burimet e shtetit tonë”, tha presidenti turk.

Turqia ka mobilizuar të gjitha burimet në dispozicion pas përmbysjes së një anijeje pasagjerësh që udhëtonte nga Kyrenia e Republikës Turke të Qipros Veriore drejt Portit Tasucu në Mersin, tha të dielën presidenti Recep Tayyip Erdogan, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në platformën sociale turke NSosyal, Erdogan u shprehu të shkuara kombit turk dhe popullit turko-qipriot pas aksidentit.
“Menjëherë pas aksidentit, në bashkëpunim me autoritetet e Republikës Turke të Qiprosë së Veriut, nisëm operacione të gjera kërkim-shpëtimi”, tha ai.
“Si rezultat i këtyre përpjekjeve, 237 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan në mënyrë të sigurt, ndërsa fatkeqësisht shtatë vëllezër dhe motra tona humbën jetën”, shtoi Erdogan.
Ai tha se përpjekjet për të arritur te personat që ende rezultojnë të zhdukur po vazhdojnë pa ndërprerje, duke shprehur shpresën për lajme të mira nga operacionet e kërkim-shpëtimit.
“Po e ndjekim nga afër edhe këtë proces, për të cilin kemi mobilizuar të gjitha burimet e shtetit tonë”, tha Erdogan.
Ai shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë personave të shpëtuar.



