Vajza 4-vjeçare nga Gaza përballet me dhimbjen e amputimit, ëndërron të luajë dhe të vrapojë sërish

Katërvjeçarja Jamalat Dabban qëndron pranë kukullës së saj brenda një tende për personat e zhvendosur në Rripin e Gazës, duke pritur një këmbë protezë që do ta ndihmonte të ecte, luante dhe vraponte sërish, raporton Anadolu.
Vajza e vogël humbi këmbën e majtë në një sulm izraelit ndaj një tende afër saj në maj, duke e detyruar të përshtatet me një jetë në të cilën edhe lëvizjet më të thjeshta kërkojnë ndihmë.
Brenda tendës së vogël të ngritur mbi tokë me rërë, nëna e saj, Rasha, e mban në krahë, ia kreh flokët dhe e ndihmon të lëvizë. Familja u zhvendos nga Beit Lahia në veri të Gazës dhe që atëherë jeton në këtë tendë.
Që nga amputimi, Jamalat ka mësuar të lëvizë mbi rërë duke përdorur duart. Ndonjëherë përpiqet të ngrihet duke u kapur pas njërit prej shtyllave të tendës.
Dalja jashtë, loja me fëmijët e tjerë dhe vrapimi janë bërë detyra të vështira.
Para se të plagosej, Jamalat ishte “një fëmijë shumë aktiv që i pëlqente të luante”, i tha nëna e saj Anadolu-s.
“Por vajza ime ka humbur shumë pjesë të fëmijërisë së saj”, tha Rasha, duke shtuar se Jamalat tani ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme, edhe për lëvizjet bazë të përditshme.
– Sulmi ndaj tendës fqinje
Familja kishte jetuar në Beit Lahia para se të zhvendosej në tendën ku u plagos Jamalat.
“Ne ishim një familje e zakonshme. Ishte një ditë e zakonshme. Hëngrëm mëngjes dhe u ulëm në tendë, dhe papritur tenda fqinje u godit drejtpërdrejt”, kujtoi Rasha.
“Vajza ime u plagos dhe humbi këmbën”, tha ajo.
Sulmi ndodhi më 11 maj, sipas Rashës. Ajo dhe djali i saj u plagosën gjithashtu, por plagët e tyre mund të trajtoheshin. Megjithatë, plagët e Jamalat ishin aq të rënda sa mjekët u detyruan t’ia amputonin këmbën e majtë.
– “Ma kthe këmbën”
Brenda tendës, Jamalat mban telefonin e babait të saj dhe shfleton fotografitë e vjetra.
Ajo ndalet te një fotografi ku shfaqet me vëllain e saj para se të plagosej.
Në fotografi duken të dyja këmbët e saj.
Jamalat e shikon gjatë imazhin para se të tregojë me gisht këmbën në fotografi, sikur përpiqet të kuptojë se çfarë i ka ndodhur trupit të saj.
Rasha tha se vajza e saj i kërkoi t’ia kthente këmbën që të mund të lëvizte dhe të luante me vëllain e saj.
Vajza ende nuk e kupton plotësisht se humbja është e përhershme, tha nëna e saj.
Edhe pasi plaga iu shërua, Jamalat sërish i kërkoi nënës t’ia kthente këmbën.
“Çfarë i kishte bërë kjo fëmijë kujt që ta meritonte atë që i ndodhi? Faji i vetëm i saj është se është një fëmijë që jeton në Gaza”, tha Rasha.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja më 10 tetor 2025, sulmet izraelite kanë vrarë 1.303 palestinezë dhe kanë plagosur 4.336, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 73.400 persona dhe ka plagosur mbi 174.400 në luftën e saj gjenocidale në Gaza.



