“Fluturonin” në autostradë duke vozitur mbi 170 km/h! Arrestohen dy shoferë në “Tabanoc”, njëra nga Serbia e tjetri nga Holanda

Dy shoferë, një shtetase e Serbisë dhe një shtetas i Holandës, janë privuar nga liria në pikën kufitare “Tabanoc”, pasi përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” është konstatuar se në autostradën A1 kanë drejtuar automjetet me shpejtësi më shumë se dyfishi i asaj të lejuar, përcjell TV21. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se më 26 gusht, në orën 22:15, në dalje nga vendi, policia ka kryer kontroll ndaj një automjeti “Mercedes-Benz” me targa serbe, të drejtuar nga një 51-vjeçare nga Serbia. Gjatë kontrollit është konstatuar se ajo ishte evidentuar si kryesuese e veprës penale “drejtim i pamatur i automjetit”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
“Përmes sistemit ‘Qyteti i Sigurt’ është konstatuar se shtetasja e Serbisë në autostradën A1, në aksin Demir Kapi–Gjevgjeli, ka drejtuar automjetin me shpejtësi prej 168 kilometra në orë, në një pjesë të rrugës ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 kilometra në orë. Për shkak të shkeljes së konstatuar, ajo është privuar nga liria dhe ndaj saj do të parashtrohet kallëzim përkatës penal”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ndërkaq, më 27 gusht, rreth orës 05:00, po në pikën kufitare Tabanoc, policia ka ndaluar një automjet “Audi” me targa të Holandës, të drejtuar nga një 32-vjeçar nga ky shtet. Edhe në këtë rast, kontrolli përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” ka treguar se shoferi ishte evidentuar për të njëjtën vepër penale.
“Shtetasi holandez, në autostradën A1, në afërsi të Demir Kapisë, ka drejtuar automjetin me shpejtësi prej 177 kilometra në orë, në një pjesë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 kilometra në orë. Ai është privuar nga liria dhe ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës penal për drejtim të pamatur të automjetit”, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.



