Shasivari paralajmëron takim me studentët për provimin e jurisprudencës: “Do të jetë pa barriera gjuhësore”

Para se të marrë formën zyrtare zgjidhja për provimin e jurisprudencës, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, do të zhvillojë një takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike, me qëllim prezantimin e zgjidhjes së propozuar ligjore.
Në një deklaratë për Alsat, Shasivari tha se bëhet fjalë për të njëjtën zgjidhje që është prezantuar më herët, ndërsa bëri të ditur se në Ministri kanë mbërritur edhe kërkesa që provimi, përveç gjuhës shqipe, të mund të zhvillohet edhe në gjuhën angleze dhe turke.
“Presim edhe kërkesën e universitetit të parë me mësim në gjuhën shqipe, pra Universitetit Shtetëror të Tetovës. Në periudhën që vjen do të organizojmë këtë takim konsultativ dhe informues me përfaqësuesit e asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike”, deklaroi Shasivari.
Sipas tij, gjatë takimit do të diskutohen edhe çështjet praktike që lidhen me organizimin e provimit në disa gjuhë, përfshirë materialet e provimit, literaturën juridike, dispozitat ligjore, pyetjet, kriteret profesionale të vlerësimit dhe përkthimin.
Lidhur me kundërshtimet e studentëve ndaj zgjidhjes së propozuar, e cila parasheh që pjesa teorike të zhvillohet në gjuhën amtare, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase, Shasivari tha se pret që përmes dialogut të sqarohet zgjidhja.
“Jam i bindur se me një sqarim profesional dhe institucional, studentët dhe kandidatët e ardhshëm do ta kenë të qartë se bëhet fjalë për një avancim dhe për një qasje gjithëpërfshirëse”, tha ai.
I pyetur për kërkesën e studentëve që çështja të zgjidhet me një vendim të vetëm, pa ndryshime ligjore, Shasivari tha se zgjidhja duhet të jetë afatgjatë dhe e qëndrueshme.
“Qasja jonë është afatgjatë. Ne nuk e zvarrisim procesin, por kemi ndërtuar një zgjidhje e cila është e qëndrueshme, në pajtim me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe standardet ndërkombëtare”, deklaroi Shasivari.
Ndërkohë, përfaqësuesit e iniciativës studentore kanë deklaruar për Alsat se qëndrojnë pas kërkesës që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, si në pjesën teorike ashtu edhe në atë praktike. Ata kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.


