Promovohet ueb-faqja interaktive për ethet e Nilit Perëndimor

Ministria e Shëndetësisë sot promovoi ueb-faqen e re, ku publikohen të dhëna mbi situatën me ethet e Nilit Perëndimor.
Në faqen http://www.healthalert.mk/, qytetarët do të mund të informohen për zonat me rrezik dhe aktivitetet e ndërmarra nga institucionet.
“Me qëllim që të sigurojmë informim në kohë dhe maksimalisht transparent të publikut për ethet e Nilit Perëndimor, kemi përgatitur një ueb-faqe të re që i bashkon të gjitha të dhënat në një vend. Këtu kombinohen të dhënat lidhur me gjendjen epidemiologjike, zonat me rrezik dhe aktivitetet e ndërmarra”, tha ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Ai shtoi se harta është realizuar falë përgjegjësisë shoqërore të kompanisë GDI – GIS DATA, e cila e ka zhvilluar atë gjatë ditëve të fundit.
Në ueb-faqe është publikuar një hartë që tregon numrin e rasteve me ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa në këndin e poshtëm shënohet koha e përditësimit të fundit.
Të dhënat përfshijnë informacion nga Klinika për Sëmundje Infektive, Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendra për Shëndet Publik, ndërsa në të ardhmen pritet të përfshihen edhe të dhëna nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Kemi 34 vende potenciale të identifikuara për shumimin e mushkonjave. Numri i komunave të prekura është nëntë. Komunat paraqiten me ngjyra të ndryshme, në varësi të përqendrimit të rasteve. Kemi një listë të vendeve potenciale të shumimit të mushkonjave me pasqyrë të detajuar”, deklaroi Klekovski.
Sipas tij, në platformë janë paraqitur edhe të gjitha aktivitetet e ndërmarra për dezinfektimin, përfshirë datën, vendin, preparatin e përdorur dhe institucionin apo ekipin që ka kryer spërkatjen.
Rastet e personave të infektuar janë të gjeolokalizuara sipas vendbanimeve, me qëllim ruajtjen e anonimitetit të pacientëve, por edhe për të mundësuar analizimin e lidhjes mes numrit të të infektuarve dhe vatrave të mundshme.
“Harta interaktive ofron integrimin e të dhënave nga të gjitha institucionet relevante, me përcaktim të qartë të kohës së përditësimit”, theksoi Klekovski.
Ndërkohë, në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 53 persona që kanë pasur, kanë aktualisht ose dyshohen se janë të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor.
Deri më tani, pesë persona të prekur nga ethet e Nilit Perëndimor kanë ndërruar jetë.



