Kanadaja ndalon hyrjen e nënkryetarit të Kudsit për aktivitetet e tij në lidhje me vendbanimet

Kanadaja ka revokuar autorizimin e udhëtimit për nënkryetarin e Kudsit, Arieh King, për shkak të aktiviteteve të tij lidhur me vendbanimet në qytetin e pushtuar, raportoi të mërkurën gazeta izraelite Haaretz, transmeton Anadolu.
King njihet për përpjekjet për t’u marrë shtëpitë palestinezëve në Kudsin Lindor të pushtuar dhe për fushatën kundër pranisë së UNRWA-së në qytet.
Sipas Haaretz, King do të merrte pjesë në një aktivitet në Kanada për mbledhjen e fondeve për nismat e tij lidhur me vendbanimet.
King tha se vendimi “erdhi si rezultat i një fushate të zhvilluar kundër meje nga arabët”, duke iu referuar aktiviteteve të tij kundër UNRWA-së dhe mbështetjes për vendbanimet hebraike në Kudsin Lindor të pushtuar.
Ai prej vitesh ka bërë thirrje për marrjen e shtëpive palestineze në Kudsin Lindor, si dhe për largimin e selisë së UNRWA-së nga lagjja Sheikh Jarrah dhe ngritjen e një vendbanimi në atë zonë.
Qeveria kanadeze nuk e ka konfirmuar apo komentuar anulimin e autorizimit të tij të udhëtimit.
Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, që nga viti 1967. Komuniteti ndërkombëtar i konsideron të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara, qëndrim që Izraeli e kundërshton.



