Kurti: Autostrada Shkup–Bllacë është urë zhvillimi dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar fillimin e punimeve për autostradën Shkup–Bllacë si një moment të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve infrastrukturore, ekonomike dhe njerëzore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kurti, i cili mori pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit në Shkup, tha se projekti përfaqëson “themelet e një lidhjeje të re dhe moderne” mes dy vendeve.
“Jam i lumtur që ndodhem këtu bashkë me ju, në këtë moment kur po hidhen themelet e një lidhjeje të re dhe moderne midis dy vendeve tona”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, autostrada do të ketë pesë tunele, tetë ura dhe katër galeri, duke forcuar ndjeshëm lidhjen infrastrukturore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Autostrada Shkup–Bllacë me pesë tunele, tetë ura e katër galeri, do ta forcojë shumë më tepër lidhjen infrastrukturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Kurti.
Megjithatë, kryeministri në detyrë i Kosovës theksoi se rëndësia e projektit shkon përtej infrastrukturës. Sipas tij, rruga e re do të shkurtojë distancën, do të lehtësojë lëvizjen dhe do të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik.
“Përveç se do të shkurtohet distanca, do të lehtësohet lëvizja dhe do të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi për qytetarët dhe ekonomitë e dy vendeve tona”, u shpreh Kurti.
Ai vuri në dukje qarkullimin e madh të qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve, duke theksuar se vetëm përmes pikës doganore në Han të Elezit kalojnë rreth 54 mijë maune në vit, ose rreth 150 maune në ditë.
“Prandaj, çdo kilometër i ri rrugë që na afron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, autostrada do ta bëjë qarkullimin ndërkufitar më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas, ndërsa bizneset do të kenë mundësi më të mëdha për transportin e mallrave, zgjerimin e tregjeve dhe krijimin e partneriteteve të reja.
Kurti e lidhi projektin edhe me integrimin e infrastrukturës së rajonit në rrjetet evropiane, duke theksuar se autostrada Shkup–Bllacë është pjesë e rrjetit evropian TEN-T.
“Kjo autostradë është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe e lidhjes strategjike që përmes Kosovës e afron Shkupin me Prishtinën dhe më tej me rrjetet dhe tregjet evropiane”, tha ai.
Në këtë kuadër, Kurti përmendi edhe projekte të tjera infrastrukturore që synojnë forcimin e lidhjeve mes dy vendeve, përfshirë Linjën 10 hekurudhore, e cila lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, si dhe projektin Prizren–Tetovë përmes tunelit.
“Këto projekte janë ura gjigande të zhvillimit, të bashkëpunimit dhe të afrimit mes qytetarëve tanë”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e faktit që ndërtimi i autostradës po nis pas shumë vitesh premtime, duke e cilësuar projektin si të rëndësishëm për të dyja shtetet.
Në fund të fjalimit, ai falënderoi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në nisjen e projektit.
Kurti shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për koalicionin e partive shqiptare, për kontributin e tyre, siç tha, në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Urime fillimi i punimeve të autostradës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve që do ta shfrytëzojnë këtë rrugë”, përfundoi Kurti.



