Erdoğan: Armiqtë tanë kanë plane, por edhe ne kemi! Ndërtimi i Shekullit Turk ka filluar

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdoğan ka përcjellë një mesazh të fortë për një Turqi pa terrorizëm, paqe dhe stabilitet në rajon.
Duke folur në programin e zhvilluar në zonën e eventeve në Ahlat, në provincën e Bitlisit, Erdoğan deklaroi se përpjekjet për të destabilizuar Turqinë dhe rajonin nuk do të kenë sukses.
“Zoti i Plotfuqishëm, Zoti i Botëve, gjithashtu ka një plan. Ky plan në fund do të triumfojë”, u shpreh Erdoğan.
Presidenti turk vijoi me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj atyre që, sipas tij, përfitojnë nga terrorizmi dhe destabiliteti.
“Tregtarët e gjakut do të humbasin. Oportunistët që përfitojnë nga terrorizmi do të humbasin. Individët gjenocidalë që duan ta zhytin gjeografinë tonë në paqëndrueshmëri do të humbasin”, deklaroi ai.
Erdoğan theksoi se, sipas tij, në fund fitues do të jenë paqja, stabiliteti dhe njerëzimi.
“Fituesi do të jetë njerëzimi. Do të ketë vëllazëri. Do të ketë paqe dhe stabilitet. Fituesi do të jetë kombi turk me 86 milionë qytetarët e tij”, tha presidenti turk.
Në përfundim të fjalimit, Erdoğan deklaroi se Turqia ka hyrë në një periudhë të re zhvillimi dhe fuqizimi.
“Askush të mos ketë dyshime. Agimi i një Turqie të madhe dhe të fuqishme ka filluar. Ndërtimi i Shekullit Turk ka filluar. Me lejen e Zotit, e ardhmja dhe horizontet tona janë të hapura”, u shpreh Erdoğan.



