Trafiku në Tabanoc zhvillohet pa ndalesa, të huajt i paguajnë gjobat online gjobat, njofton MPB-ja

Trafiku në pikën kufitare Tabanoc zhvillohet pa pengesa dhe pa ndalesa, ndërsa automjetet me targa të huaja, ndaj të cilave është evidentuar ndonjë kundërvajtje në trafik për të cilën duhet të paguhet gjobë, ndalohen për më së shumti pesë minuta për rregullimin e detyrimit, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Nga MPB-ja theksojnë se, falë sistemit të vendosur dhe mundësisë për pagesë elektronike përmes aplikacionit “Qyteti i Sigurt”, procedura është lehtësuar dhe përshpejtuar ndjeshëm.
Ministria e Punëve të Brendshme më 20 gusht vuri në funksion aplikacionin ueb me ndërfaqe për telefona celularë – “Qyteti i Sigurt”, i cili në këtë fazë u dedikohet shtetasve të huaj, përkatësisht pronarëve dhe drejtuesve të automjeteve me targa të huaja, në mënyrë që të mos ndalohen në kufi për të paguar gjobat.
Shtetasit e huaj, përmes aplikacionit, mund të marrin në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë informacione për kundërvajtjet në trafik të evidentuara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, të shohin urdhërpagesat e lëshuara për kundërvajtje dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike.
Gjatë kyçjes në aplikacion, drejtuesi duhet të fotografojë ose skanojë dokumentin e udhëtimit dhe të vendosë targën e automjetit ose automjeteve që përdor në vendin tonë.
Në këtë mënyrë, drejtuesit e huaj, të cilët me automjetet e tyre evidentohen se kanë kryer kundërvajtje në trafik në territorin e vendit, do të mund të informohen në kohë dhe në mënyrë të thjeshtë dhe të rregullojnë detyrimin e tyre, pa pasur nevojë për ndalesa shtesë në pikat kufitare.
MPB-ja njoftoi se do të vazhdojë me përmirësimin e shërbimeve digjitale, ndërsa në fazat e ardhshme parashihet zgjerimi i funksionaliteteve edhe për kategori të tjera përdoruesish.



