Iraku propozon krijimin e një këshilli të përbashkët të sigurisë mes Iranit dhe Arabisë Saudite

Iraku ka propozuar krijimin e një këshilli të përbashkët të sigurisë mes Iranit dhe Arabisë Saudite, tha të dielën një zyrtar i lartë irakian, duke iu referuar një “krize besimi” mes dy fuqive rajonale, transmeton Anadolu.
Qasim al-Araji, këshilltari për sigurinë kombëtare i kryeministrit irakian, tha se Bagdadi ia kishte paraqitur propozimin si Teheranit, ashtu edhe Riadit.
“Problemi mes dy vendeve është një krizë besimi”, tha al-Araji për televizionin shtetëror Iraqiya TV.
Ai nuk dha detaje të tjera mbi mekanizmin e propozuar, ndërsa as Irani dhe as Arabia Saudite nuk kanë komentuar menjëherë.
Al-Araji tha gjithashtu se vendosja e të gjitha armëve nën kontrollin e shtetit është një “vendim strategjik thjesht irakian”, duke theksuar se vendimet për luftën dhe paqen i takojnë ekskluzivisht shtetit irakian.
Ushtria irakiane njoftoi më 3 qershor krijimin e një komiteti të ngarkuar me vendosjen e armëve nën kontrollin e shtetit, një sfidë e kahershme e sigurisë dhe politikës, për shkak të pranisë së fraksioneve të armatosura që veprojnë si brenda, ashtu edhe jashtë Forcave të Mobilizimit Popullor.
Propozimi vjen në një kohë të rritjes së tensioneve rajonale dhe disa ditë pas bisedës mes ministrit të Jashtëm irakian, Fuad Hussein dhe homologut të tij saudit, Faisal bin Farhan mbi zhvillimet në rajon, gjatë së cilës ata theksuan nevojën për të frenuar përshkallëzimin dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.
Më 27 korrik, Arabia Saudite tha se kishte interceptuar dhe shkatërruar disa dronë të lëshuar nga territori irakian, të cilët tentuan të godisnin objektet e naftës në Provincën Lindore dhe Riad.
Riadi fajësoi “milicitë e lidhura me Iranin” për sulmet dhe tha se rezervonte të drejtën për t’u kundërpërgjigjur.
Kryeministri irakian, Ali al-Zaidi urdhëroi po atë ditë agjencitë e sigurisë të hetonin informacionin e dhënë nga Arabia Saudite lidhur me lëshimin e dronëve nga territori irakian.



