Gaza, gratë piktore ringjallin kujtimet e jetës së humbur përmes artit

Gratë e reja piktore në Gaza, të cilat kanë humbur shtëpitë dhe një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre për shkak të sulmeve të Izraelit, po rikrijojnë me penela dhe ngjyra detajet e jetës që iu mor prej tyre, raporton Anadolu.
Dhjetë gra të reja, të mbledhura në një punishte të ngritur në formën e një tende tradicionale palestineze në qytetin e Gazës, nuk po pikturojnë vetëm në telajot e bardha, por po përpiqen të mbajnë gjallë kujtesën e tyre nën hijen e zhvendosjes së detyruar, shkatërrimit dhe humbjeve.
Punishtja e artit, e quajtur “Dikur ekzistonte”, për pjesëmarrëset është shndërruar në një hapësirë përtej një aktiviteti pikture, ku përmes artit shprehen shtëpitë e humbura, rrugët e braktisura dhe ndjenja e sigurisë që është zhdukur.
Në punishte, ku secila piktore sjell në telajo gjurmë nga jeta e saj, në njërën pikturë paraqitet një shtëpi e shkatërruar, në një tjetër një rrugë që ka ndryshuar pamje, ndërsa në një vepër tjetër shprehet dëshira për ndjenjën e sigurisë që ekzistonte para luftës.
Punishtja u ofron grave piktore që duan t’i shndërrojnë përvojat e rënda që kanë përjetuar në vepra që ruajnë kujtesën, njëkohësisht një hapësirë ku mund të shprehin përmes artit ndjenjat që e kanë të vështirë t’i shprehin me fjalë.
“Arti është edhe zëri ynë, edhe rruga jonë drejt shërimit”
Artistja e arteve pamore dhe aktivistja sociale, Farah Ajur, një nga drejtueset e projektit “Diyra”, me të cilin lidhet aktiviteti, foli për Anadolu për pikënisjen dhe synimet e projektit.
Koncepti “Diyra” do të thotë “strehë” ose “shtëpi”.
“Si të gjithë në Rripin e Gazës, edhe ne artistët kemi humbur një pjesë të jetës sonë. Disa prej nesh kanë humbur studion, disa shtëpinë dhe disa ndjenjën e sigurisë. Kjo punishte synon të na ofrojë sërish atë hapësirë të sigurt nga e cila u privuam gjatë luftës dhe të mbajë gjallë kujtimin e asaj që u shkatërrua”, tha Ajur
Ajo tha: “Arti është edhe zëri ynë, edhe rruga jonë drejt shërimit”.
“Punishtja quhet ‘Dikur ekzistonte’, sepse ato gjëra dikur ekzistonin”
Duke theksuar se arti është një mënyrë terapie për njerëzit që kanë qenë dëshmitarë të tragjedive të padurueshme në Gaza, Ajur tha:
“Sot ua përcjellim botës së jashtme zërin dhe ndjenjat tona përmes pikturave. Punishtja quhet ‘Dikur ekzistonte’, sepse ato gjëra dikur ekzistonin dhe vazhdojnë të ekzistojnë në kujtesën tonë. Gaza është këtu, shpresa është këtu dhe krijimtaria jonë nuk do të shterojë kurrë”.
18-vjeçarja Marah e shndërroi tendën e saj në galeri
Marah Halid ez-Zaanin, 18-vjeçe, një nga pjesëmarrëset më të reja të punishtes, po jeton në një tendë që nga zhvendosja e saj me forcë nga Beit Hanouni në veri të Gazës.
Marah, e cila pikturon që nga fëmijëria, tha se e përdor artin si mjet rezistence dhe mbijetese.
Marah, e cila gjatë sulmeve izraelite ka krijuar më shumë se 700 vepra dhe e ka shndërruar tendën ku qëndron në një hapësirë të vogël ekspozimi, tregoi për ditët e vështira kur nuk kishin materiale për pikturë.
“Kam vizatuar në çdo gjë që gjeja për të larguar nga brenda frikën, urinë dhe trishtimin. Kur nuk kishim bojëra, përdornim stilolapsa me bojë, hi dhe copa kartoni. Vetëm në këtë mënyrë mundëm ta nxirrnim jashtë energjinë negative që ishte grumbulluar brenda nesh”, tha Marah.
“Gjëja që më mungon më shumë është shtëpia ime”
Marah tha se pas një pauze të gjatë ndihet e lumtur që në punishte ka sërish në duar furça dhe bojëra.
Duke treguar se e ka pasqyruar në telajo shtëpinë që ka humbur, Marah tha:
“Gjëja që më mungon më shumë është shtëpia ime. Që nga fillimi i luftës jetojmë në tenda. Sot, të mblidhem këtu në një hapësirë të sigurt me artistet e tjera dhe të mund të përdor sërish ngjyrat, më bëri të ndiej sikur shpirti im më ishte kthyer”.
Gratë piktore në punishte besojnë se çdo penelatë që lënë në telajot e tyre mbart një dëshmi të përhershme për të kaluarën dhe të ardhmen e Gazës.
Në sulmet që Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, vazhdon në Gaza që nga tetori 2023, kanë humbur jetën më shumë se 73 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, ndërsa më shumë se 174 mijë persona janë plagosur. Rreth 90 për qind e infrastrukturës në rajon është shkatërruar plotësisht.