Gazeta izraelite kritikon Netanyahun për sulmet në Siri, paralajmëron për “konflikt të pakuptimtë” me Turqinë

Gazeta izraelite Haaretz ka kritikuar kryeministrin Benjamin Netanyahu për vendimin e tij për të goditur objektiva në Siri, duke paralajmëruar se përshkallëzimi mund ta tërheq Izraelin në një “konflikt të pakuptimtë” me Turqinë, transmeton Anadolu.

“Derisa po pyesnim nëse, para zgjedhjeve, Netanyahu do të zgjidhte të zhvillonte luftë në Gaza apo Liban apo ndoshta të ndizte Bregun Perëndimor, ai vendosi të ndërmarrë një veprim në veri të Sirisë, duke zgjeruar një front me Turqinë”, thuhet në një editorial të gazetës.

Gazeta tha se retorika anti-Turqi e Izraelit gjatë muajve të fundit është shndërruar të martën në një sulm ndaj një aeroporti ushtarak në veri të Sirisë.

Gazeta iu referua pretendimit të Netanyahut se sulmi kishte në shënjestër zgjerimin e pretenduar të pranisë turke në rajon. Ankaraja dhe Ëashingtoni e kanë mohuar pretendimin izraelit dhe e kanë akuzuar kryeministrin izraelit se po vepron për arsye elektorale.

Të martën, avionët izraelitë kryen tetë sulme ndaj pistës së aeroportit ushtarak Abu al-Duhur në provincën Idlib, në veriperëndim të Sirisë, duke dëmtuar infrastrukturën e tij.

Pas sulmit, burime nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë konfirmuan se nuk kishte asnjë mision ushtarak turk në bazën ajrore Abu al-Duhur, as para dhe as gjatë sulmit izraelit.

Haaretz citoi paralajmërimin e ambasadorit të SHBA-së në Turqi, Thomas Barrack, njëherësh i dërguar i posaçëm për Sirinë dhe Irakun, se sulmi izraelit “mund të ishte përshkallëzuar në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak” mes Izraelit dhe Turqisë, duke lënë të kuptohet se ky mund të ketë qenë objektivi i vërtetë i Izraelit.

Barrack theksoi se Turqia “nuk ka ndërmend ta sulmojë Izraelin apo të hyjë në një konfrontim ushtarak me të”, duke paralajmëruar se Izraeli mund të jetë “duke vepruar në mënyrë irracionale”, pasi ndodhet në periudhë zgjedhore.

Haaretz paralajmëroi se veprimi ushtarak izraelit vjen në një kohë kur fuqitë ndërkombëtare po përpiqen të stabilizojnë Sirinë, ndërsa Izraeli “po vepron në një mënyrë që bie ndesh me këtë logjikë”.

“Kështu, Izraeli po largon jo vetëm Sirinë, por edhe të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë atje, para së gjithash SHBA-në”, tha gazeta.

Haaretz i bëri thirrje Izraelit të hartojë një politikë të re për t’iu përgjigjur sfidave të shumta dhe të reja në Lindjen e Mesme.

“Teksa Netanyahu mburrej me operacionin e shënjestruar në veri të Sirisë, një operacion i rrezikshëm dhe i pakuptimtë, aleanca të reja po krijohen para syve të tij dhe Izraeli nuk është pjesë e tyre”, tha gazeta.

“Siguria nuk mund të krijohet dhe kërcënimet nuk mund të pengohen vetëm përmes bombardimeve. Kjo nuk mund të zëvendësojë diplomacinë dhe një politikë të mirëmenduar, diçka që në epokën e Netanyahut është zhveshur nga çdo kuptim. Izraeli duhet t’i dëgjojë paralajmërimet e të dërguarit Barrack dhe të ketë kujdes që të mos përfshihet në një konflikt me Turqinë”, shtoi ajo.

Pas sulmit ndaj bazës ajrore Abu al-Duhur, Siria në dy letra identike drejtuar OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së tha se sulmet e vazhdueshme të Izraelit, përfshirë sulmet ajrore, inkursionet dhe rrëmbimet, “pengojnë përpjekjet për stabilizim dhe kërcënojnë rajonin me tensione të mëtejshme”.

Izraeli ka zgjeruar sulmet e tij në mbarë Sirinë që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button