13 shoferë të arrestuar për drejtim të pakujdesshëm, shtatë pa patentë shofer

Policia e Maqedonisë së Veriut ka privuar nga liria 13 shoferë gjatë 24 orëve të fundit në territorin e gjithë vendit, për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjeteve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), shtatë prej shoferëve kanë drejtuar automjetet pa patentë shoferi, ndërsa njëri prej tyre ka qenë i mitur. Një tjetër shofer, përveçse nuk posedonte patentë, ka drejtuar automjetin edhe nën ndikimin e alkoolit.
Një rast i veçantë është regjistruar në pikën kufitare “Tabanoc”, ku policia ka ndaluar një shtetas të huaj pasi sistemi “Qyteti i Sigurt” ka konstatuar se ai kishte drejtuar automjetin me shpejtësi prej 164 kilometrash në orë, në një segment ku shpejtësia e lejuar është 80 kilometra në orë.
MPB-ja njofton gjithashtu se pesë persona kanë drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit. Njëri prej tyre është përfshirë në një aksident trafiku dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.
“Pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të paraqiten kallëzime penale përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga policia u bëhet apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjete pa e dhënë provimin e vozitjes, nëse u është shqiptuar masë ndalimi për drejtimin e automjetit apo nëse janë nën ndikimin e alkoolit.
“U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut, të mos drejtojnë automjet pa e dhënë provimin e vozitjes, nëse u është shqiptuar masë ndalimi për drejtimin e automjetit, si dhe të mos drejtojnë automjet nën ndikimin e alkoolit, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një trafik më të sigurt”, thekson MPB-ja.

