Shokuese: Si përfundoi një 13-vjeçar me drogë? Policia zbulon detaje!

Një 13-vjeçar është mes të miturve të arrestuar në aksionet policore të lidhura me drogën gjatë 24 orëve të fundit. Në një rast tjetër në Tetovë, policia ka arrestuar dy 16-vjeçarë, të cilët janë gjetur në një punishte të improvizuar, ku janë zbuluar lëndë pluhuri e bardhë, marihuanë, peshore digjitale dhe para.
Më 21 dhe 22 gusht, pjesëtarë të SPB Shkup kanë arrestuar në lokacione të ndryshme në kryeqytet dy të mitur, të moshës 13 dhe 17 vjeç, si dhe një 19-vjeçar nga Struga. Gjatë ndërhyrjeve janë gjetur dhe konfiskuar lëndë e fortë ngjyrë kafe dhe marihuanë. Policia nuk ka specifikuar se te cili prej personave është gjetur konkretisht substanca. Pas dokumentimit të plotë të rasteve priten kallëzime përkatëse.
Në Tetovë, pjesëtarë të SPB Tetovë, së bashku me pjesëtarë të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigri” dhe Njësisë për Qentë Shërbyes, kanë kryer kontroll në një shtëpi dhe një barakë të përdorur nga një 36-vjeçar. Kontrolli është kryer me urdhër gjykate.
Në punishte janë gjetur një 19-vjeçar dhe dy të mitur 16-vjeçarë. Te 19-vjeçari dhe te njëri prej të miturve, policia ka gjetur lëndë pluhuri të bardhë, marihuanë dhe dy peshore digjitale. Në objekt janë gjetur gjithashtu kuti me lëndë pluhuri të bardhë, si dhe para në valuta dhe prerje të ndryshme.
Të tre personat janë arrestuar, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit, në koordinim me prokurorin publik, priten kallëzime përkatëse.
Aksione policore për zbulimin e lëndëve narkotike janë zhvilluar edhe në qytete të tjera. Në Kumanovë është arrestuar një 37-vjeçar, te i cili është gjetur marihuanë, ndërsa në Koçan është arrestuar një 27-vjeçar, gjithashtu për shkak të gjetjes së marihuanës.
Në një rast tjetër, SPB Manastir ka ngritur kallëzim penal ndaj një 48-vjeçari nga Prilepi, nën dyshimin për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, të kryer më 18 gusht, janë gjetur dhe konfiskuar bimë kanabisi.
Vëmendje të veçantë tërheq mosha e disa prej personave të përfshirë në aksionet e fundit policore. Në raste të veçanta në Shkup dhe Tetovë janë arrestuar të mitur të moshës 13, 16 dhe 17 vjeç, çka ngre shqetësime serioze për përfshirjen e fëmijëve në raste të lidhura me lëndët narkotike.
