Maqedonci: Tërheqja graduale e KFOR-it nga ura, pasqyron përmirësimin e sigurisë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është para së gjithash reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve kosovare të sigurisë, transmeton Anadolu.

Maqedonci nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale tha se procesi i optimizimit gradual i pranisë së KFOR-it është i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë.

“Kosova ka ndërtuar ndër vite institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona”, shkroi Maqedonci.

Ai tha se në këtë kontekst, përpjekjet e lidershipit të Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren, përkundrazi ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres.

“Kjo narrativë e udhëheqjes politike dhe ushtarake të Serbisë duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve të tjera të rëndësishme. Ajo i shërben edhe zhvendosjes së vëmendjes nga çështje që kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi: gjetjet lidhur me varrezën masive në Kalludër, zbulimi i armëve dhe pajisjeve në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, si dhe veprimet e institucioneve tona kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subversive kundër Republikës së Kosovës”, shkroi Maqedonci.

Më tej, ministri në detyrë kosovar tha se në vend të narrativave që prodhojnë frikë dhe tension, rajoni ka nevojë për përgjegjësi, transparencë dhe respektim të fakteve.

Ai shtoi se Kosova nuk është burim i destabilitetit dhe se Kosova është shtet demokratik, partner i besueshëm i SHBA-së, NATO-s dhe aleatëve të saj, si dhe kontribuuese në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përmes së cilës ka kërkuar që Aleanca të mos mbështesë hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Pas 27 vjetësh nga periudha e luftës në Kosovë, trupat e KFOR-it filluan tërheqjen nga ruajtja e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe përgjegjësia graduale filloi të mbetet në dorën e Policisë së Kosovës. Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e kalueshme vetëm për këmbësorë dhe jo edhe për automjete.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button