Irani: Kërcënimet e fundit të Trumpit për sanksione ekonomike janë “të destinuara të dështojnë”

Kryediplomati Iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se sanksionet e fundit ekonomike me të cilat SHBA-ja ka kërcënuar Iranin janë “të destinuara të dështojnë”, duke iu referuar rezultateve të disa përpjekjeve të mëparshme kundër Teheranit, transmeton Anadolu.

“14 vjet më parë, ‘sanksionet më gjymtuese në histori’, dështuan. 8 vjet më parë, ‘presioni maksimal’, dështoi”, shkroi Araghchi në rrjetin social amerikan X.

Ai shtoi se edhe thirrja e bërë pesë muaj më parë për “dorëzimin pa kushte” të Iranit kishte dështuar.

Araghchi tha se edhe “operacioni ekonomik më shkatërrues ndonjëherë”, i paralajmëruar së fundmi nga presidenti amerikan, Donald Trump, është i destinuar të dështojë.

Ai publikoi gjithashtu një imazh të ish-presidentit amerikan, Barack Obama, që përmbante një deklaratë të vitit 2012 të zv/presidentit të atëhershëm Joe Biden, i cili i përshkruante masat kundër Iranit si “sanksionet më gjymtuese në historinë e sanksioneve”.

Të mërkurën, Trump njoftoi synimin e tij për të nisur atë që e quajti “operacioni ekonomik më shkatërrues i ndërmarrë ndonjëherë kundër ndonjë vendi”, duke e përshkruar fushatën e tij të presionit maksimal ndaj Iranit si “luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të paprecedentë”.

Ai u zotua të ndërpresë kanalet financiare që mbështesin Teheranin, duke paralajmëruar se vendet që i ofrojnë Iranit një “litar shpëtimi” ekonomik përmes institucioneve të tyre financiare, bizneseve, aeroporteve apo institucioneve qeveritare, do të përballen me pasoja të rënda ekonomike.

Duke e quajtur fushatën një “Ditë D ekonomike”, Trump u bëri thirrje aleatëve të Washingtonit që t’i bashkohen përpjekjes së tij të fundit për ta gjymtuar financiarisht Teheranin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button