Efektet e El Ninos detyrojnë Kanalin e Panamasë të reduktojë kalimet ditore të anijeve

Autoriteti i Kanalit të Panamasë do të reduktojë numrin e anijeve që lejohen të kalojnë çdo ditë përmes kanalit, pasi reshjet e pakta dhe një El Nino potencialisht i fuqishëm kanë shtuar shqetësimet për furnizimet me ujë.

Autoriteti, i njohur si ACP, tha se numri i kalimeve ditore do të reduktohet në dy faza, nga 36 sa është aktualisht në 34 për datat e kalimit duke filluar nga 4 shtatori dhe më pas në 32 nga 15 shtatori.

Ndryshimet do të prekin si ekluzat e vjetra Panamax, ashtu edhe ekluzat më të mëdha Neopanamax.

ACP-ja tha se reshjet kumulative në pellgun ujëmbledhës të kanalit nga maji deri në gusht ishin 34 për qind nën mesataren historike, ndërsa prurjet e ujit në pellg ishin 44 për qind më të ulëta se zakonisht.

Pavarësisht fillimit të sezonit të shirave dhe zbatimit të masave për kursimin e ujit, autoriteti tha se nevojiten masa të mëtejshme për të mbështetur qëndrueshmërinë afatgjatë të funksionimit të kanalit.

Autoriteti shtoi se parashikimet që tregojnë se fenomeni El Nino i viteve 2026-27, i cili është në zhvillim, mund të jetë veçanërisht i fuqishëm, mund të reduktojnë më tej reshjet dhe prurjet ujore gjatë pjesës së mbetur të sezonit të shirave.

Autoriteti tha se masat synojnë të ruajnë besueshmërinë e shërbimeve të kanalit, të mbrojnë furnizimet me ujë për konsum njerëzor dhe t’u japin kompanive të transportit detar kohë të mjaftueshme për të planifikuar udhëtimet dhe për të menaxhuar operacionet e zinxhirit të furnizimit.

Kanali varet nga uji i ëmbël i liqeneve përreth për funksionimin e sistemit të ekluzave. Çdo kalim i një anijeje kërkon sasi të mëdha uji për t’i ngritur dhe ulur anijet midis nivelit të detit dhe Liqenit Gatun.

ACP-ja gjithashtu shtyu reduktimet e paralajmëruara më herët të zhytjes maksimale të lejuar për anijet që përdorin ekluzat Neopanamax.

Autoriteti tha se do të vazhdojë të monitorojë kushtet atmosferike, nivelet e liqeneve dhe prurjet e ujit dhe se mund të ndërmarrë ndryshime të tjera operacionale nëse është e nevojshme.

Kufizimet vijnë në një kohë kur industria globale e transportit detar tashmë po përballet me ndërprerje për shkak të luftës në Iran, e cila ka reduktuar ndjeshëm trafikun e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, një tjetër rrugë ndër më të rëndësishmet tregtare në botë.

Duke lidhur Oqeanin Atlantik me atë Paqësor, Kanali i Panamasë u mundëson anijeve të shmangin udhëtimin shumë më të gjatë rreth skajit jugor të Amerikës së Jugut dhe përbën një rrugë jetike për tregtinë ndërkombëtare.

Kanali u përball me kufizime të ngjashme gjatë El Ninos të viteve 2023-24, kur një thatësirë e zgjatur e detyroi ACP-në të reduktonte gradualisht kalimet ditore dhe të vendoste kufizime për zhytjen e anijeve.

Reduktimet e fundit do ta rrisin rëndësinë e rezervimeve paraprake, ndërsa ACP-ja paralajmëroi klientët se një rezervim i konfirmuar është e vetmja mënyrë për të garantuar një datë të caktuar kalimi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button