Sindikata e Hyundai Motor zhvillon grevën e parë njëditore në një dekadë, pasi ngecin bisedimet për pagat

Sindikata e punonjësve të Hyundai Motor zhvilloi një grevë njëditore, duke ndalur prodhimin në fabrikat kryesore të prodhuesit të automjeteve në Korenë e Jugut, pasi negociatat për pagat dhe kushtet e punës mbetën në ngërç, transmeton Anadolu.

Greva ishte e para që nga viti 2016, në të cilën anëtarët e degës së Hyundai Motor të Sindikatës së Punonjësve të Metalurgjisë së Koresë zhvilluan një grevë tetëorëshe për çdo turn, raportoi “Korea Herald”.

Prodhimi u pezullua në fabrikat në Ulsan, Asan në provincën Chungcheong Jugor dhe Jeonju në provincën Jeolla Verior, ndërsa punonjësit e turneve të mëngjesit dhe pasdites nuk u paraqitën në punë.

Rreth 39.000 anëtarë të sindikatës morën pjesë në grevë, përfshirë punëtorë të prodhimit dhe punonjës të zyrave.

Sindikata ka zhvilluar greva të pjesshme që nga fillimi i negociatave për pagat më 6 maj. Vlerësimet e industrisë sugjerojnë se ndërprerjet kanë shkaktuar humbje në prodhim prej rreth 55.200 automjetesh, me vlerë më shumë se 2,3 trilionë wonë (1,66 miliard dollarë) në shitje të mundshme.

Greva të tjera katërorëshe janë planifikuar për të hënën dhe të martën.

Negociatat rifilluan të hënën e kaluar pas një ndërprerjeje prej më shumë se 40 ditësh, por sërish përfunduan pa marrëveshje.

​​​​​​​Palët mbeten të ndara për çështjet e pagave, rikthimit në punë të punonjësve të pushuar dhe zgjatjes së moshës së pensionit. Sindikata kërkon gjithashtu mbrojtje të vendeve të punës lidhur me inteligjencën artificiale, javë më të shkurtër pune dhe bonuse më të larta.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button