Ministri i Jashtëm iranian: Lufta ekonomike e Trumpit do t’i sjellë SHBA-së “disfatë të mëtejshme”

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të enjten se fushata e saposhpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, e quajtur “Dita D ekonomike”, kundër Teheranit do t’i sjellë Washingtonit “disfatë të mëtejshme” dhe do të thellojë armiqësinë e iranianëve ndaj SHBA-së, transmeton Anadolu.
“E ashtuquajtura ‘Dita D ekonomike’ është një diversion nga kriza e vetë Amerikës: borxhi i paprecedentë dhe rritja e kostove të interesit”, shkroi Araghchi në platformën sociale amerikane X.
“Dyfishimi i politikave të dështuara vetëm do të sjellë humbje të mëtejshme dhe armiqësi të iranianëve”, tha ai, duke shtuar e “terrorizmi ekonomik” i SHBA-së kërcënon ekonominë globale dhe sovranitetin në mbarë botën.
Deklarata e tij erdhi pasi Trump njoftoi të mërkurën atë që e cilësoi si “operacionin ekonomik më shkatërrues të ndërmarrë ndonjëherë kundër një vendi”, duke e përshkruar fushatën si “luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të paprecedentë”.
Trump tha se Wshingtoni do të synojë ndërprerjen e kanaleve financiare dhe tregtare që mbështesin Teheranin dhe paralajmëroi se vendet që lejojnë institucionet e tyre financiare, bizneset, aeroportet ose entitetet qeveritare t’i ofrojnë Iranit një “linjë shpëtimi” ekonomike do të përballen me pasoja të rënda ekonomike.
Duke e quajtur fushatën “Dita D ekonomike”, Trump u bëri gjithashtu thirrje aleatëve të SHBA-së që t’i bashkohen Washingtonit në izolimin e Iranit.



