Blegtorët protestojnë para Qeverisë: Kërkojnë vaksina dhe dëmshpërblim

Blegtorët sot kanë protestuar para Qeverisë, duke kërkuar masa urgjente për përballimin e lisë së dhenve dhe mbështetje për dëmet e shkaktuara nga sëmundja.
Sipas tyre, deri tani janë asgjësuar rreth 40 deri në 50 tufa, ndërsa mijëra dele kanë ngordhur. Ata thonë se vazhdimisht shfaqen vatra të reja të sëmundjes, duke rritur frikën për përhapjen e saj në tufat e tjera.
Kryetari i Lidhjes së Rritësve të Deleve, Naser Xhemaili, kërkoi që familjet që kanë humbur tufat të kompensohen sa më shpejt.
Blegtorët janë veçanërisht të pakënaqur me mënyrën aktuale të dëmshpërblimit, duke vlerësuar se 100 denarë për kilogram nuk e mbulojnë vlerën reale të kafshëve të humbura.
Ata kërkojnë gjithashtu që Qeveria të rishqyrtojë politikën e vaksinimit dhe të ndërmarrë masa për mbrojtjen e fondit blegtoral dhe të ardhmes së kësaj veprimtarie.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se situata po monitorohet vazhdimisht dhe paralajmërojnë blegtorët që të mos kryejnë vaksinimin vetë.
Sipas institucioneve, vaksinimi do të bëhet vetëm nga shërbimet veterinare të autorizuara, ndërsa vaksinat e siguruara nga Turqia do të kontrollohen në laborator para se të fillojë përdorimi i tyre.

