Haraçina merr masa pas rastit me Ethet e Nilit Perëndimor

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, njoftoi se komuna ka ndërmarrë masa parandaluese pas raportimit të një rasti me Ethet e Nilit Perëndimor. Sipas Beqirit, spërkatja kundër mushkonjave është realizuar më 12 korrik, ndërsa gjatë kësaj jave do të përsëritet në të gjithë territorin e komunës.
“Pas raportimit të një rasti me Ethet e Nilit Perëndimor, e kuptojmë shqetësimin e qytetarëve tanë. Pikërisht për këtë arsye, kujdesi dhe masat parandaluese vazhdojnë pa ndërprerje. Komuna e Haraçinës ka realizuar spërkatjen kundër mushkonjave më 12.07.2026, ndërsa edhe këtë javë do të realizohet përsëri spërkatja në të gjithë territorin e komunës. Ne do të vazhdojmë të jemi në terren, të ndjekim situatën dhe të ndërmarrim çdo masë të nevojshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve tanë. Nuk mjafton të flasim për sigurinë e qytetarëve, duhet të veprojmë për të”, ka shkruar Beqiri.



