Gjenden mbetje eshtërore të 3 personave në Zubin Potok

Mbetjet janë me prejardhje njerëzore dhe paraqesin interes forenzik, ndërkohë autoritetet dyshojnë se ato mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë

Njësitë e Policisë së Kosovës kanë gjetur mbetje eshtërore të tre individëve në fshatin Kalludër të komunës së Zubin Potokut, transmeton Anadolu.

Sipas ekspertit mjeko-ligjor, mbetjet janë me prejardhje njerëzore dhe paraqesin interes forenzik, ndërkohë autoritetet dyshojnë se ato mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Policia tha se rasti është regjistruar nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile, ndërsa mbetjet pritet t’i nënshtrohen procedurave të mëtejshme forenzike me qëllim identifikimin e tyre dhe përcaktimin e rrethanave të vdekjes.

Zbulimi i fundit është pjesë e një hetimi rreth 2-vjeçar të autoriteteve të Kosovës lidhur me dyshimet për krime lufte të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Një hetim rreth 2-vjeçar fillimisht çoi në arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte, ndërsa më pas autoritetet nisën gërmimet në një lokacion në Zubin Potok, ku dyshohej se mund të ndodhej një varrezë masive.

Gjatë ditëve në vijim, në këtë zonë u zbuluan mbetje mortore me origjinë njerëzore. Autoritetet arrestuan gjithashtu edhe një person tjetër të dyshuar për krime lufte dhe identifikuan lokacione të tjera ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button