Nikolloski: Po kërkohet zgjidhje konkrete për transportuesit përmes bashkëpunimit dypalësh

Edhe pse kjo çështje është në kompetencë të drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen, shteti po ndërmerr hapa konkretë përmes lidhjes së marrëveshjeve dypalëshe me shtete të veçanta anëtare për të zbutur pasojat, raporton 360shkallë, transmeton Portalb.mk.
Qeveria dhe Ministria e Transportit po punojnë intensivisht për të gjetur zgjidhje për problemet me të cilat po përballen transportuesit maqedonas pas vendosjes së Sistemit të Hyrje-Daljes (Entry/Exit System – EES) në Bashkimin Evropian, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me paralajmërimet e një pjese të transportuesve për protesta të mundshme nëse deri më 1 shtator nuk gjendet zgjidhje, Nikolloski tha se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me shoqatat e transportuesve dhe se ata gëzojnë mbështetje të plotë.
“Kemi takime të rregullta, nëse jo çdo javë, atëherë çdo dy javë. Bashkëpunimi ynë është i shkëlqyer. Kjo është vetëm një nga qindra çështjet që po zgjidhim. Sa i përket problemit të krijuar me vendosjen e sistemit ‘Entry/Exit’ të Bashkimit Evropian, ne po bëjmë maksimumin dhe transportuesit kanë mbështetjen tonë të plotë”, tha Nikolloski.
Edhe pse kjo çështje është në kompetencë të drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen, ministri shpjegoi se shteti po ndërmerr hapa konkretë përmes lidhjes së marrëveshjeve dypalëshe me shtete të veçanta anëtare për të zbutur pasojat.
Maqedonia e Veriut tashmë ka marrëveshje të tilla me Kroacinë, Zvicrën dhe Rumaninë, ndërsa aktualisht po punohet intensivisht për harmonizimin e marrëveshjeve me Austrinë, Hungarinë dhe Gjermaninë.
“Pres që gjatë tetorit të fillojmë bisedimet edhe me Slloveninë, në mënyrë që të mbulohen vendet ku transportuesit tanë punojnë ose kalojnë më së shpeshti në transit”, shtoi ai.
Duke komentuar protestat e paralajmëruara nga një pjesë e transportuesve, Nikolloski theksoi se ato nuk janë mënyra më e mirë për tejkalimin e sfidave.
“Është më konstruktive të gjejmë zgjidhje. Nuk mendoj se protestat janë zgjidhje. Sigurisht, ato janë forma e fundit e reagimit, por ne gjatë periudhës së kaluar kemi gjetur zgjidhje dhe do të vazhdojmë t’i gjejmë”, tha ai.
Ministri shprehu gjithashtu dyshimin se pas një pjese të presioneve lidhur me këtë çështje qëndrojnë motive politike nga një shtet fqinj.
“Përshtypja ime është se një shtet fqinj po ushtron presion për këtë çështje, kryesisht për arsye politike. Le t’i zgjidhin problemet e tyre. Ne kemi një qasje individuale dhe do t’i zgjidhim problemet ashtu siç mendojmë se është më së miri”, theksoi ai.
Nikolloski tha se nuk pajtohet me qasjen që problemet e të gjitha vendeve të rajonit të trajtohen në mënyrë kolektive nën etiketën “Ballkani Perëndimor”, duke nënvizuar se Maqedonia e Veriut duhet t’i mbrojë vetë interesat e saj.
“Nuk guxojmë të biem në kurthin e kolektivizimit të problemeve. Prej kohësh ka përpjekje që i gjithë rajoni të paraqitet si një tërësi. Pas disa javësh do të shënojmë 35-vjetorin e pavarësisë dhe kthimi prapa do të ishte gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte shtetit”, tha Nikolloski.
Shoqatat e transportuesve nga Ballkani Perëndimor, në takimin rajonal të mbajtur para tre ditësh në Shkup, deklaruan se do të presin deri më 1 shtator, kur në Bruksel është caktuar një takim i nivelit të lartë me përfaqësues të Komisionit Evropian, nga rezultati i të cilit do të varet nëse do të kalojnë në protesta.
Ata thonë se nuk duan të protestojnë, por nëse detyrohen, do ta ndërmarrin këtë hap, me ç’rast protestat nuk do të ndërpriten si herën e kaluar, por do të zgjasin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për qëndrimin e shoferëve profesionistë në zonën Shengen.
Shoferët maqedonas, si dhe shoferët profesionistë të kamionëve nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, që nga fundi i vitit të kaluar janë përballur me probleme pas fillimit të zbatimit të Sistemit të Hyrjes dhe Daljes nga Bashkimi Evropian (EES). Sipas këtij sistemi, transportuesit nga Ballkani Perëndimor regjistrohen si turistë dhe mund të qëndrojnë në vendet e BE-së më së shumti 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Nikolloski deklaroi edhe në korrik se vendi po e zgjidh në mënyrë të pavarur problemin me shoferët profesionistë, përmes bisedimeve dypalëshe me vendet e Bashkimit Evropian, dhe jo së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Transportuesit në fillim të vitit blokuan të gjithë pikat kufitare në vendet e tare. Bllokada erdhi pas vendimit të Komisionit Evropian, sipas të cilit transportuesve që me kamionë transportojnë produkte dhe mallra u lejohet qëndrimi në vendet e zonës Shengen vetëm 90 ditë.
Ministri për transport në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Nikolloski, sqaroi që përmes bisedimeve dypalëshe, po zgjidhet problemi me qëndrimin e shoferëve profesionistë të Maqedonisë së Veriut në zonën Shengen.
Ai sqaroi që problemi është zgjidhur me Zvicrën, Kroacinë, Rumaninë, ndërsa është drejtë përfundimit më Slloveninë, Austrinë dhe Gjermaninë. Përmes marrëveshjes, shoferët do të marrin viza afatgjata të punës, ndërsa me Greqinë dhe Bullgarinë si zona ndërkufitare nuk do të ketë pengesa.



