Partia gjermane AFD akuzon Ambasadën e Gjermanisë në Shkup se po i devijon njerëzit

Partia e djathtë në Gjermani, AfD, ka kërkuar sqarime nga qeveria gjermane lidhur me financimin nga Ambasada Gjermane në Shkup të shfaqjes teatrore “Angels in America”, e cila trajton tema që lidhen me komunitetin LGBTQI+.
Çështja është bërë publike pasi tabloidi gjerman “Bild” raportoi për financimin, ndërsa deputetë dhe mbështetës të AfD-së e shpërndanë gjerësisht lajmin në rrjetin X, duke kritikuar përmbajtjen e shfaqjes.
“Angels in America”, me regji të Filip Petkovskit, është shfaqur në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë në Shkup gjatë vitit 2025. Shfaqja është adaptim i veprës së dramaturgut amerikan Tony Kushner dhe trajton jetën e personazheve nga komuniteti queer në Nju Jork gjatë viteve 1980.
Në një pyetje parlamentare në Bundestag, AfD ka ngritur shqetësimin se financimi i një shfaqjeje të tillë nuk përputhet me njoftimet për largimin e politikave të motivuara ideologjikisht nga ndihma zhvillimore gjermane.



