“Nuk është rastësi”, Musliu ‘godet’ opozitën pas vendimit të KFOR-it: Po rrëzohet propaganda kundër Kurtit

Vendimi i KFOR-it për të nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit është vlerësuar si një zhvillim me rëndësi të veçantë për Kosovën. Ky hap ka nxitur diskutime mbi forcimin e institucioneve vendore dhe përgjegjësinë e tyre në garantimin e sigurisë në të gjithë territorin e vendit.
Për këtë zhvillim, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, i cili e konsideron vendimin e KFOR-it si një vlerësim të rëndësishëm për institucionet e Kosovës dhe veçanërisht për Policinë e Kosovës.

Sipas tij, vendimi nuk duhet parë si një zhvillim i papritur, por si rezultat i një procesi të gjatë vlerësimesh nga KFOR-i dhe NATO-ja, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

“Edhe përkundër zhvillimeve destruktive të opozitës në Kuvendin e Kosovës, ditë më parë KFOR-i dha një lajm të mirë, respektivisht misioni i KFOR-it, i cili për 27 vite kishte ruajtur urën mbi lumin Ibër, ka vendosur që këtë angazhim gradualisht t’ia dorëzojë në kompetenca Policisë së Kosovës. Po ashtu, KFOR-i bëri të ditur se edhe në Manastirin e Deçanit do të bëhet integrimi gradual i Policisë së Kosovës”, deklaroi Musliu.

Ai vlerëson se vendimi i KFOR-it është marrë pas analizave të hollësishme të situatës së sigurisë dhe përmes një procesi të vazhdueshëm bashkëpunimi me institucionet e Kosovës.

“Edhe pse kishte disa deklarata se ky lajm ishte i befasishëm dhe i papritur, personalisht konsideroj se ky vendim i KFOR-it është marrë paraprakisht pas shumë analizave dhe vlerësimeve nga ekspertët ushtarakë dhe të sigurisë të KFOR-it dhe NATO-s, si dhe në konsultim dhe punë të vazhdueshme me institucionet e Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas Musliut, një nga mesazhet kryesore të këtij vendimi është se KFOR-i dhe NATO-ja vlerësojnë se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar dhe se Policia e Kosovës ka kapacitetet e nevojshme për të marrë përgjegjësi më të mëdha.

“Rrjedhimisht, KFOR-i dhe NATO-ja kanë konstatuar se paqja dhe siguria në Kosovë dukshëm është përmirësuar, duke vlerësuar se Policia e Kosovës është e aftë, mirë e trajnuar dhe profesionale ta menaxhojë situatën në urën e Ibrit, e cila ka qenë aks i përleshjeve dhe tensioneve ndëretnike”, tha Musliu.

Ai e sheh këtë edhe si një sinjal të rëndësishëm politik për institucionet e Kosovës, sidomos përballë kritikave se qasja e Qeverisë Kurti ndaj veriut dhe çështjeve të sigurisë ka rrezikuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Ky vendim i KFOR-it është një vlerësim dhe besim domethënës për institucionet e Kosovës, që i hedh poshtë akuzat dhe propagandën e opozitës dhe disa mediave se Kurti po e rrezikon paqen dhe stabilitetin dhe po i prish marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Duke folur për rëndësinë e urës mbi lumin Ibër, Musliu thekson se ajo për vite me radhë nuk ishte vetëm një infrastrukturë që lidh dy pjesë të Mitrovicës, por edhe një simbol i ndarjes politike dhe institucionale të Kosovës.

Sipas tij, për të kuptuar rëndësinë e zhvillimit të fundit duhet parë edhe gjeneza e problemit në veri të Kosovës dhe fakti se për një periudhë të gjatë institucionet e Kosovës kishin pasur qasje të kufizuar në këtë pjesë të territorit.

“Që nga paslufta e deri në vitet e fundit, ura mbi lumin Ibër ishte simbol i ndarjes së pjesës veriore të Kosovës, ku institucionet e Kosovës nuk kishin qasje të plotë në ushtrimin e sovranitetit. Në atë pjesë funksiononin struktura paralele serbe dhe për një kohë të gjatë ndikimi i Beogradit ishte shumë i madh”, u shpreh Musliu.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button