KFOR: Do të ruajmë prani të fuqishme në veri të Kosovës
Ulutas tha se KFOR-i do të mbetet plotësisht i pajisur dhe i pozicionuar mirë për t'iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin afatgjatë të OKB-së për KFOR-in

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajori Ozkan Ulutas, është takuar me kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, në selinë e KFOR-it në kampin “Film City”, në Prishtinë, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u zhvillua me kërkesë të kryetarit Elek, i cili shoqërohej nga nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, deputetja Jovana Radosavljeviq dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.
Gjatë takimit u diskutua për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe zbatimin e procesit të paralajmëruar për optimizimin e pozicionit të KFOR-it.
Komandanti i KFOR-it, Ulutas theksoi se procesi i optimizimit të KFOR-it ka nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë. Ulutas përsëriti se ky proces do të kryhet në mënyrë graduale dhe bazohet në kushte dhe mund të ndryshohet (ose të kthehet në gjendjen e mëparshme), nëse kjo kërkohet nga zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal.
Ai shtoi se KFOR-i do të mbetet plotësisht i pajisur dhe i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin afatgjatë të OKB-së për KFOR-in.
Ulutas vuri në dukje se KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe është i përkushtuar ndaj sigurisë së tij, si dhe se kalimi gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare.
“Pasi të përfundojë ky proces, KFOR-i do të ruajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në veri të Kosovës, në të mirë të të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Gjatë kësaj jave u bë e ditur se 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë mbi urën kryesore të lumit Ibër, e cila ndanë qytetin e Mitrovicës në pjesën veriore me shumicë serbe dhe atë jugore me shumicë shqiptare, do të qëndrojë vetëm Policia e Kosovës dhe jo më pjesëtarë të KFOR-it.



