Konjufca i reagon Zelenskyt: Kosova është shtet sovran dhe i pavarur

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar mbi deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili gjatë qëndrimit të tij në Serbi tha se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj mbi mosnjohjen e Kosovës.

Përmes një postimi në “X”, Konjufca i kujtoi Zelenskyt pozicionimin e menjëhershëm të Kosovës në favor të Ukrainës pas sulmeve ruse.
Marrim me keqardhje në konsideratë deklaratat e Presidentit Zelenskyy në Beograd, ku riafirmoi mosnjohjen nga Ukraina të Republikës së Kosovës.Që nga dita e parë e agresionit të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa asnjë ekuivok krah Ukrainës. Ne dënuam pushtimin, u përafruam plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ofruam ndihmë humanitare dhe strehim për gazetarë ukrainas, si dhe kontribuuam me ndihmë dhe stërvitje ushtarake në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës. Ne e bëmë këtë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të tij është çështje parimi”, ka shkruar Konjufca në “X”.
Ndër të tjera, Konjufca ia rikujtoi Zelenskyt se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që lirinë e fitoi me sakrificë pas luftës së fundit në vitin 1999.

“Republika e Kosovës është një shtet sovran dhe i pavarur, i lindur nga lufta e popullit të saj për liri dhe nga çlirimi i tij në vitin 1999, pas viteve të represionit sistematik dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviçit. Ajo që ndodhi më pas nuk ishte akt aneksimi, pushtimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe vite negociatash të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht mbi statusin final të Kosovës. Kur këto negociata kishin shterur çdo mundësi për një zgjidhje të pranuar nga të dyja palët, i Dërguari i Posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, rekomandoi pavarësinë si status final të Kosovës dhe paraqiti një kornizë gjithëpërfshirëse për shtetin e ri, duke përfshirë disa nga garancitë kushtetuese më të gjera në Evropë për komunitetet jo-shumicë”, tha ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button