Trabzonspor nis bisedimet për transferimin e yllit egjiptian Mohamed Salah

Klubi turk i futbollit Trabzonspor njoftoi se ka nisur zyrtarisht bisedimet për transferimin e yllit egjiptian Mohamed Salah, transmeton Anadolu.
“Kanë nisur negociatat për transferimin e futbollistit profesionist Mohamed Salah, i cili është lojtar i lirë, në klubin tonë”, thuhet në deklaratën e Trabzonsporit të dërguar në Bursën e Stambollit dhe të publikuar në Platformën e Zbulimit Publik të Turqisë.
Në një deklaratë të veçantë, klubi bëri të ditur se Salah do të mbërrijë në Terminalin e Aviacionit të Përgjithshëm të Aeroportit “Ataturk” në Stamboll në orën 12:00 sipas kohës lokale sot. Ai pritet të mbërrijë në Trabzon në orët e mbrëmjes.
34-vjeçari njoftoi në muajin mars se do të largohej nga klubi anglez i Premierligës, Liverpool FC, në fund të sezonit 2025-2026.
Gjatë kohës së tij te Liverpooli, Salah ndihmoi ekipin të fitonte Ligën e Kampionëve të UEFA-s, dy tituj të Premierligës Angleze, Kupën e Botës për Klube të FIFA-s, Superkupën e UEFA-s, Kupën FA dhe dy herë Kupën e Ligës.
Ai u bë golashënuesi më i mirë i Liverpoolit në historinë e Premierligës dhe futbollisti i huaj me më shumë gola në historinë e Premierligës, duke u vendosur si golashënuesi afrikan më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve të UEFA-s.
Në karrierën e tij, Salah ka fituar dy herë çmimin “Futbollisti afrikan i vitit” nga CAF, dy herë çmimin “Futbollisti afrikan i vitit” nga BBC, disa herë “Këpucën e Artë” të Premierligës ndërsa është përzgjedhur vazhdimisht në formacionet më të mira të vitit nga FIFA dhe organizma të tjerë kontinentalë.
Raporte të ndryshme të pakonfirmuara mediatike sugjerojnë se Salah po negocion një kontratë dyvjeçare me një pagë vjetore prej 17 milionë eurosh.


