BE kërkon pezullimin e rrënimeve pranë Liqenit të Ujmanit deri në vendimin e gjykatës

Bashkimi Evropian (BE) u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të ndalojnë rrënimet e mëtejshme të objekteve në zonën pranë Liqenit të Ujmanit, derisa gjykata kompetente të marrë një vendim përfundimtar lidhur me pretendimet pronësore, transmeton Anadolu.
Për këtë çështje ka folur Anitta Hipper, zëdhënësja për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë e Kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas, e pyetur për rrënimin e objekteve në pronësi të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc” në Zubin Potok dhe nëse Brukseli po shqyrton masa në rast se demolimet vazhdojnë.
“Ne shprehim keqardhje për rrënimin e shtëpive, veçanërisht pasi pretendimet pronësore janë ende nën shqyrtim gjyqësor”, tha ajo.
“BE-ja u bën thirrje institucioneve të Kosovës të ndalojnë çdo rrënim të mëtejshëm dhe të punojnë me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të gjetur zgjidhje ligjore dhe të qëndrueshme”, shtoi ajo.
Sipas Hipper, çdo veprim i pakthyeshëm, përfshirë rrënimet, duhet të pezullohet derisa gjykata kompetente të nxjerrë një vendim përfundimtar mbi pretendimet pronësore që mbeten të pazgjidhura.
Nga 21 korriku 2026 me kërkesë të ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në zonat përreth Liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës u zhvillua një aksion për rrënimin e 11 shtëpive të ndërtuara në pronat e ndërmarrjes së Ibër-Lepencit.
Kryeshfi ekzekutiv i Ibër Lepencit, Faruk Mujka, bëri me dije se 11 personave që kishin ndërtuar shtëpi në pronën e Ibër Lepencit u ishte kërkuar qysh më 3 korrik të heqin të gjitha gjërat që kanë në këto objekte dhe t’i lirojnë ato deri më 17 korrik, por ata nuk e bënë një gjë të tillë dhe me këtë rast u lajmërua inspektorati për të kryer punën.
Një ditë më vonë për këto veprime reagoi edhe Zyra e BE-së në Kosovë e cila konsideroi se rrënimi i objekteve ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc” për lirimin dhe pastrimin e tokës.



