SHBA-ja ratifikon marëveshjen e huasë për modernizimin e ushtrisë shqiptare prej 302 milionë dollarësh

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka njoftuar zyrtarisht për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh në Kuadër të Programit Foreign Military Financing (FMF) i cili synon mbështetjen e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në fushën e sigurisë, transmeton Anadolu.
DASH thekson në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare se kjo marrëveshje do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur Angazhimin e Mbrojtjes së Hagës, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Gjithashtu DASH, shton se kredia do të ndihmojë për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes blerjes së kapaciteteve kryesore me origjinë nga SHBA-ja, si dhe për forcimin e aftësive mbrojtëse të Evropës.
“Si aleate e NATO-s, Shqipëria është lidhur ngushtë me SHBA-në në çështje kritike të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe rolin e anëtares themeluese të Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, nënvizohet në njoftimin zyrtar të DASH-it.
Lidhur më këtë ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi i cili e konsideroi zyrtarizimin e ratifikimit të marrëveshjes si “votë besimi strategjike e SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare”.
“Mirënjohje SHBA-së për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin e më gjerë. Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, deklaroi ministri Nufi.
Marrëveshja me SHBA-në është dekretuar më 30 korrik nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i cili ka dhënë gjithashtu pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji.



