“Një jetë hebreu sa dhjetë milionë palestinezë!”: racizmi i kolonëve izraelitë, i dokumentuar nga BBC
Justifikimi i krimeve me “përzgjedhje hyjnore”: si mund të jetë Zoti i padrejtë e racist(?!), Zot na ruaj nga lajthitja e tyre

Një reportazh i BBC-së nga kolonia izraelite Havat Gilad në Bregun Perëndimor të pushtuar zbulon një realitet shqetësues të dhunës dhe racizmit të strukturuar. Pas vrasjes së një roje sigurie izraelite, kolonët nisën një valë sulmesh hakmarrëse ndaj fshatrave palestineze fqinje.
BBC-së iu dha akses i rrallë në këtë koloni, ku avokati Yehuda Shimon bëri deklarata tronditëse. Kur gazetarja e BBC-së e pyeti nëse ai po barazonte një jetë hebreje me qindra apo mijëra jetë palestineze, përgjigja e tij ishte: “Jo, miliona. Një jetë hebreje, janë dhjetë milionë palestinezë!”, citon BBC.
Kur u pyet mbi racizmin e deklaratës, ai tha: “Po, e di. Por kjo është e vërteta, sepse Zoti na zgjodhi neve”. Por deklaratat e tij nuk mbarojnë këtu. BBC dokumenton se Shimon kërkoi hakmarrje masive: “Ne duhet të vrasim të gjithë njerëzit në Tal dhe Sarra”.
Ai parashtroi tre “zgjidhje” për palestinezët: të jetojnë të qetë nën sundimin izraelit, të emigrojnë, ose “nëse nuk doni të bëni paqe me ne, nuk kam zgjidhje: duhet t’ju vras, dhe ju vras të gjithëve”- citon BBC.
Barazimi i një jete hebreu me dhjetë milionë jetë palestineze nuk është thjesht racizëm,. por zhvlerësim sistematik i ekzistencës së një popullsie të tërë. Kjo logjikë e çon dhunën në nivel gjenocidal, sepse çdo vrasje kolektive justifikohet matematikisht.
Justifikimi kinse “Zoti na zgjodhi” është arroganca më e rrezikshme, sepse heq çdo përgjegjësi njerëzore dhe e transformon pushtimin në “mision të shenjtë”. Siç vëren BBC, këto pikëpamje po fuqizohen nga qeveria izraelite me ministra të ekstremit të djathtë fetar.
BBC kujton se ky vizion i ngjan planit të ministrit Smotrich për “emigrim vullnetar” të palestinezëve dhe likuidim të atyre që rezistojnë. Kjo mendësi injoron faktet e OKB-së, të cilat BBC i përmend: 64 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i vitit, krahasuar me vetëm një izraelit.
BBC thekson se ushtria izraelite, sipas një ushtari të cituar, “pa vetëm frikë në fytyrat e palestinezëve dhe kurrë në fytyrën e ndonjë hebreu” – një dëshmi e çekuilibrit të pushtetit.
Ajo që e bën këtë mendësi veçanërisht të tmerrshme është se ajo nuk njeh as ligjin ndërkombëtar. BBC citon se Shimon i hodhi poshtë ligjet ndërkombëtare si “të parëndësishme”, duke vendosur Biblën mbi Kartën e OKB-së.
BBC e përfundon raportazhin me fjalët e një palestineze që jeton nën hijen e Havat Gilad, duke ndjerë se “Evropa është e zënë, Amerika e fiksuar pas Iranit, teksa OKB-ja ka mbaruar” – një britmë dëshpërimi e një populli të lënë në mëshirën e një ideologjie që e sheh ekzistencën e tyre si të parëndësishme.

