Mbikëqyrje e jashtëzakonshme në tre spitale për rastin e Stanka Mihajlovës

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka nisur një mbikëqyrje të jashtëzakonshme në tre institucione shëndetësore për të sqaruar rrethanat e rastit të 19-vjeçares Stanka Mihajlova nga fshati Banicë i Strumicës, e cila ka humbur aftësinë për të ecur pas lindjes me prerje cezariane në Spitalin Klinik të Shtipit.
Kontrollet po zhvillohen në Spitalin e Përgjithshëm të Strumicës, Spitalin Klinik të Shtipit dhe në Klinikën Universitare të Neurologjisë në Shkup. Inspektorët po shqyrtojnë dokumentacionin mjekësor dhe mënyrën e trajtimit të pacientes, ndërsa pas përfundimit të këtij procesi pritet të realizohet edhe një mbikëqyrje profesionale.
Sipas familjes, e reja ka shfaqur vështirësi serioze në lëvizje menjëherë pas daljes nga spitali dhe aktualisht përdor karrocë invalidi. Ata theksojnë se, megjithëse në dokumentacion ishte evidentuar se ajo ishte lëshuar në gjendje të mirë shëndetësore, problemet ishin të pranishme që atëherë.
Mediat lokale raportojnë se gjatë javëve të fundit pacientja ka kryer mbi 27 kontrolle mjekësore, por ende nuk është përcaktuar shkaku që e ka lënë pa mundësi të ecë. Ajo vazhdon trajtimin në repartin e neurologjisë në Spitalin Klinik të Shtipit.
Nga ky institucion shëndetësor bëjnë të ditur se periudha pas operacionit ka kaluar pa komplikime dhe se pacientja është paraqitur më vonë me dobësi në gjymtyrët e poshtme. Drejtori i spitalit, Vladko Zahariev, ka deklaruar se përgjegjësia do të përcaktohet vetëm nëse mbikëqyrja profesionale konstaton lëshime në trajtimin mjekësor.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë thekson se rasti do të hetohet në mënyrë të plotë dhe profesionale. Sipas ministrisë, nëse evidentohen parregullsi apo gabime gjatë trajtimit të pacientes, do të ndërmerren masat e parashikuara me ligj.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos nxjerrin përfundime para se të përfundojnë hetimet dhe vlerësimet profesionale, ndërsa rezultatet përfundimtare do të bëhen publike pasi të përfundojë i gjithë procesi.

