VLEN: Ali Ahmeti sakrifikoi frymën e Marrëveshjes së Ohrit për Ballkanin e Hapur

VLEN ka akuzuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, se gjatë promovimit të iniciativës “Ballkani i Hapur” ka lënë në plan të dytë frymën dhe prioritetet e Marrëveshjes së Ohrit, duke e orientuar kapitalin politik drejt një projekti rajonal që, sipas tyre, nuk përfaqësonte interesin e shqiptarëve.
Në një komunikatë, VLEN thekson se Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të vitit 2001, për më shumë se dy dekada është përdorur nga BDI për përfitime politike dhe është vendosur në qendër të narrativës së saj.
Sipas VLEN-it, gjatë periudhës së promovimit të Ballkanit të Hapur, prioritetet politike të Ali Ahmetit ndryshuan.
“Në vend që energjia institucionale dhe politike të përqendrohej në konsolidimin e plotë të arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit, BDI dhe Ali Ahmeti u shndërruan në mbështetësit më të zëshëm të një projekti rajonal të udhëhequr kryesisht nga Serbia”, thuhet në reagim.
VLEN ngre edhe pyetjen nëse kapitali politik i fituar nga Marrëveshja e Ohrit është investuar në një projekt që, sipas tyre, nuk ishte prioriteti kryesor i shqiptarëve dhe nuk gëzonte konsensus mbarëshqiptar.
Po ashtu, nga kjo parti pyesin se çfarë përfituan shqiptarët nga ky angazhim politik.
“Çfarë fituan shqiptarët nga ky investim i madh politik? A u avancuan më tej të drejtat e garantuara nga Marrëveshja e Ohrit? Përgjigja është JO”, thekson VLEN.
Në fund, VLEN akuzon BDI-në se po bllokon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, duke e cilësuar atë si një të drejtë që buron nga Marrëveshja e Ohrit.
“Për më shumë se dy dekada, kjo parti nuk arriti ta realizojë këtë obligim, ndërsa sot kundërshton miratimin e tij vetëm sepse nisma ligjore është ndërmarrë nga VLEN. Mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit nuk nënkupton vetëm përmendjen e saj në fjalime, por angazhim të vazhdueshëm për zbatimin e plotë të saj dhe vendosjen e interesit të shqiptarëve mbi çdo projekt politik që dëmton rajonin dhe interesat kombëtare”, thuhet në komunikatë.



