Parlamenti Europian thërret Infantinon në seancë dëgjimore për planin e investimeve private në FIFA

Parlamenti Europian pritet të thërrasë Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në një seancë dëgjimore lidhur me planin e diskutueshëm për lejimin e investimeve private në garat e organizatës. Nisma ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit dhe ka nxitur shoqata europiane të paralajmërojnë edhe bojkot të Kupës së Botës së ardhshme.

Sipas një draft-letre të siguruar nga Euronews, që po qarkullon mes eurodeputetëve të grupeve të ndryshme politike, Infantino ftohet të paraqitet përpara ligjvënësve për t’iu përgjigjur pyetjeve në frymën e “transparencës dhe llogaridhënies demokratike që vetë FIFA e ka mbështetur publikisht”.

Plani parashikon krijimin e një kompanie të re që do të menaxhojë garat e FIFA-s dhe shitjen deri në 20% të aksioneve te investitorë privatë, mes tyre edhe Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump.

Nga ana e saj, FIFA argumenton se të gjitha federatat kombëtare do të kenë mundësinë të shqyrtojnë projektin në një proces konsultimi “të hapur dhe demokratik”, ndërsa deri më tani ka refuzuar kërkesat e UEFA dhe CONCACAF për pezullimin e planit.

Shqetësime për projektin kanë shprehur edhe grupet politike në Parlamentin Europian. Eurodeputeti irlandez Barry Andrews deklaroi se “Kupa e Botës është një e mirë globale që nuk i përket askujt për ta shitur”, duke shtuar se eurodeputetët janë “jashtëzakonisht të shqetësuar” nga iniciativa e FIFA-s.

Draft-letra, e shpërndarë nga eurodeputeti polak Bogdan Zdrojewski, u është dërguar anëtarëve të Komisionit për Kulturën dhe Arsimin të Parlamentit Europian për miratim. Në të shprehen “shqetësime të thella për udhëheqjen, qeverisjen dhe drejtimin aktual të FIFA-s”, ndërsa thuhet se kjo përbën “një tradhti ndaj detyrimit për t’u shërbyer palëve të interesuara të futbollit, veçanërisht tifozëve”.

Eurodeputetët shprehin gjithashtu shqetësim për mungesën e konsultimeve mbi projektin dhe për faktin se ai është prezantuar përpara zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s në vitin 2027, ku Infantino ka bërë të ditur se synon të kandidojë për një mandat të ri.

Në letër theksohet se “Parlamenti Europian nuk do të qëndrojë duarkryq nëse FIFA trajtohet si një aset personal, fond fushate apo shkallë për karrierë politike”.

Nëse drafti miratohet nga shumica e anëtarëve të komisionit parlamentar, ftesa zyrtare për Infantinon pritet të dërgohet gjatë muajit shtator.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button