Rritet rreziku nga helmimi me ushqim për shkak të temperaturave të larta, AUV paralajmëron – bëni kujdes!

Sipas Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), për të parandaluar helmimin me ushqim është e nevojshme të bëhet zgjedhje e kujdesshme gjatë blerjes, të sigurohet transporti i duhur dhe kushtet adekuate për ruajtje, si dhe të kihet kujdes për pamjen, afatin e përdorimit dhe mënyrën e magazinimit të produkteve. Rekomandohet që ushqimet të blihen nga vende të kontrolluara, ku produktet, veçanërisht ato që prishen lehtë me origjinë shtazore, ruhen në pajisje frigoriferike.

Me temperaturat e paralajmëruara deri në 40 gradë Celsius në ditët e ardhshme, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) paralajmëron se rritet ndjeshëm rreziku nga helmimi me ushqim dhe u bën thirrje qytetarëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë blerjes, transportit, ruajtjes dhe përgatitjes së produkteve ushqimore.

Nga AUV theksojnë se temperaturat e larta paraqesin rrezik edhe për shëndetin e kafshëve, prandaj është e nevojshme që atyre t’u sigurohen në kohë sasi të mjaftueshme ushqimi të sigurt dhe ujë i freskët.

Për të zvogëluar rrezikun nga helmimi, qytetarët duhet të blejnë ushqime vetëm nga pika të kontrolluara të shitjes, ku produktet, veçanërisht ato me origjinë shtazore, ruhen në pajisje adekuate ftohëse.

Agjencia këshillon të mos blihen produkte me ambalazh të dëmtuar ose të fryrë, ndërsa ushqimet e ftohta dhe të ngrira të merren në fund të blerjeve. Produktet që prishen lehtë, si mishi, qumështi dhe vezët, nuk duhet të lihen gjatë në automjete ose në temperatura të larta.

Ushqimet e ftohta duhet të ruhen në temperaturë nën 5 gradë Celsius, ndërsa ushqimet që përgatiten termikisht duhet të gatuhen mirë, në temperaturë mbi 60 gradë. Frutat dhe perimet duhet të lahen mirë nën ujë të rrjedhshëm, ndërsa mishi i papërpunuar, qumështi dhe vezët duhet të përpunohen në mënyrë adekuate para konsumimit.

Pas përgatitjes, ushqimi duhet të ftohet shpejt dhe të ruhet në frigorifer. Ushqimi i gatuar rekomandohet të vendoset në raftet e sipërme, ndërsa ushqimi i papërpunuar në raftet e poshtme, për të shmangur kontaminimin e ndërsjellë. Gjithashtu, ushqimi duhet të mbrohet nga insektet, brejtësit dhe kafshët shtëpiake.

Nëse ushqeheni në objekte hotelerie, AUV rekomandon të zgjidhen lokale që respektojnë standardet higjienike dhe kanë reputacion të mirë. Në objektet e ushqimit të shpejtë këshillohet të shmangen shtesat si majoneza, sallatat me krem, salcat dhe dressing-at, nëse ato nuk ruhen në frigorifer.

“nëse dyshoni se ushqimi nuk është i sigurt, mos rrezikoni – hidheni atë”, apelojnë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button